EMRAT/ Qeveria i propozon Kuvendit dy anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mes tyre ish-ministri


Qeveria i ka propozuar Kuvendit zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas vendimit, Kuvendit i propozohen për votim emrat e Jonida Priftit dhe Ervin Metes.

Ervin Mete ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar “Rama”, duke mbajtur më herët postin e ministrit të Financave, si edhe atë të zëvendësministrit në këtë dikaster.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

T’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë zgjedhjen e dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë:

Znj. Jonida Prifti

Z. Ervin Mete

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.



Burimi Monitor.al