Një kompani ndërkombëtare bioteknologjike ka ngjallur debat të fortë pasi ka pretenduar se ka krijuar të ashtuquajturat “drone biologjikë”, duke pajisur pëllumba me çipa që stimulojnë trurin. Kompania Neiry, e cila ka zyra në Dubai dhe Moskë, thotë se ka instaluar tek zogjtë mikroçipa, kamera, kontrollues të vegjël dhe panele diellore. Gjatë fluturimit, sistemi jep impulse të lehta elektrike për t’i orientuar pëllumbat në një drejtimi të zgjedhur nga njerëzit, ndërsa në mungesë stimulimi ata, sipas kompanisë, sillen “normalisht”.
Ideja mbështetet edhe në faktin historik se pëllumbat janë përdorur me sukses për komunikim prej kohësh, madje kanë fituar një numër të madh medaljesh Dickin, çmim për kafshët që kanë shërbyer në konflikte ushtarake. Megjithatë, Neiry argumenton se këta “drone biologjikë” mund të jenë më praktikë se dronët mekanikë, pasi ata nuk kanë nevojë për ndërrim baterish dhe mund të fluturojnë deri në 400 kilometra në ditë. Sipas kompanisë, përdorimet e mundshme përfshijnë misionet për kërkim-shpëtim, monitorimin e zonave të largëta dhe inspektimin e infrastrukturës së vështirë për t’u arritur.
Themeluesi i kompanisë, Alexander Panov, ka deklaruar se në të ardhmen mund të përdoren edhe specie të tjera, në varësi të mjedisit dhe misionit. Ai shton se kompania konsultohet me një specialist të bioetikës përpara eksperimenteve.
Megjithatë, aktivitetet e Neiry kanë ngritur shqetësime serioze etike. Eksperimente të tjera të kompanisë përfshijnë vendosjen e çipave neuro-stimulues te lopët për të rritur prodhimin e qumështit, si dhe një eksperiment ku një mi, i quajtur Pythia, u dërgua në stratosferë me një ndërfaqe neurologjike. Konsulenti i kompanisë, Mikhail Lebedev, nga Moscow State University, sugjeron se këto eksperimente mund të ndihmojnë në kuptimin e bashkëpunimit mes trurit biologjik dhe inteligjencës artificiale, madje edhe për kontrollin e anijeve hapësinore në të ardhmen.










