Kaos në tregun e naftës: Çmimi arrin nivelin më të lartë dyvjeçar, prodhimi mund të ndalet në Lindjen e Mesme


Çmimet globale të naftës kanë arritur në nivelin më të lartë në më shumë se dy vjet, pasi ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, paralajmëroi se prodhimi i naftës dhe gazit në Gjirin Persik mund të ndalet brenda pak ditësh për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Nafta Brent u rrit me mbi 9% të premten, duke arritur rreth 93 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga vjeshta e vitit 2023. Kaabi tha se nëse konflikti në rajon vijon për disa javë, çmimi mund të arrijë 150 dollarë për fuçi, duke rrezikuar rritjen ekonomike në shumë vende të botës.

Katari, një nga eksportuesit kryesorë të gazit natyror të lëngshëm (LNG), ndaloi këtë javë prodhimin në disa objekte të QatarEnergy, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Kompania shpalli “forcë madhore”, një klauzolë që e përjashton nga përgjegjësia për mosfurnizim në raste ngjarjesh jashtë kontrollit të saj.

Kaabi paralajmëroi se, nëse konflikti vazhdon, edhe eksportues të tjerë të mëdhenj të energjisë mund të detyrohen të ndalin prodhimin në ditët në vijim. Edhe në rast se lufta ndalet menjëherë, rikthimi në prodhim normal mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj.

Situata është përkeqësuar nga ndërprerja e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike detare nga e cila transportohet rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë çdo ditë. Trafiku në këtë korridor është reduktuar ndjeshëm pas përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Analistët e energjisë paralajmërojnë se një ndërprerje e zgjatur e furnizimit mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve dhe presione inflacioniste në ekonomitë kryesore botërore. Jorge Leon, analist në kompaninë Rystad Energy, e cilësoi situatën si një “rrezik real për ekonominë globale”, duke shtuar se nëse kriza zgjat më shumë se dy javë, ndikimet mund të jenë shumë të mëdha.



Burimi Monitor.al