Ferri në kuzhinën e Noma: René Redzepi akuzohet për dhunë fizike ndaj 35 punonjësve!


Dukesh si një përrallë e gastronomisë moderne, por prapaskenat e restorantit më të famshëm në botë qenkan një skenar i vërtetë horrori. René Redzepi, gjeniu i kuzhinës pas “Noma” në Kopenhagë, po përballet me një skandal masiv që po rrëzon mitin e tij.

Një investigim i detajuar nga The New York Times i publikuar këtë mars ka nxjerrë në dritë anën e errët të shefit të famshëm. Plot 35 ish-punonjës kanë thyer heshtjen, duke zbuluar një realitet të frikshëm abuzimi fizik dhe psikologjik.

Ndërkohë që klientët VIP paguanin mijëra euro për një pjatë me produkte ekzotike dhe insekte të fermentuara, stafi i kuzhinës po jetonte një makth të përditshëm. Sipas raportit të bujshëm, Redzepi nuk mjaftohej vetëm me të bërtitura nën presionin e punës. Ish-punonjësit pretendojnë se ai i ka goditur me grushte në fytyrë, i ka përplasur pas mureve dhe i ka shpuar me pirunë të mëdhenj zgarë për gabimet më minimale gjatë shërbimit. Çdo ditë pune përshkruhet si një fushëbetejë ku mbizotëronte frika, bullizimi dhe poshtërimi publik i orkestruar mjeshtërisht para gjithë brigadës.

Orteku i dëshmive nisi të rrokullisej kur Jason White, ish-drejtori i fermentimit në Noma, përdori rrjetet sociale për të denoncuar kulturën toksike të ambientit të punës. Kjo lëvizje i dha kurajo dhjetëra të tjerëve për të folur hapur kundër dhunës dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Redzepit për t’i futur në “listën e zezë” të industrisë nëse ankoheshin.

Edhe pse shefi ka pranuar në të kaluarën se ka pasur probleme me inatin dhe ka bërë terapi, këto akuza të reja kalojnë çdo limit të një shefi thjesht nevrik.

Tani që e vërteta po del në shesh, vendimi i tij i fundit për ta mbyllur restorantin Noma si “të paqëndrueshëm” merr një kuptim krejt tjetër. /Prive By Liberta Spahiu

 





Burimi Privebruto.com