Tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të Thesarit dhe blerjen e licencës Oracle ka përfunduar sërish i ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik(KPP). Kjo procedurë, e kërkuar nga Ministria e Financave(MF) dhe zhvilluar përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka fond limit 217 milionë lekë, ose rreth 2.2 milionë euro. Ankesa u paraqit nga një operator ekonomik që kërkon rishikimin e dokumenteve.
Më herët, një procedurë e ngjashme ishte ankimuar për Sistemin Informatik të Menaxhimit Financiar(AFMIS). Ky ankimim detyroi qeverinë të informonin autoritetet kontraktore për hapat që duhej të ndiqnin, për të shmangur pengesat e shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit.
Këtyre të fundit iu kërkua të pajiseshin me numër transaksioni nga dega e Thesarit për të zhvilluar procedurat e prokurimit. Më pas, më 13 mars, AKSHI njoftoi shpalljen e fituesit, duke i hapur rrugë vijimit normal të marrëveshjes për shërbimin.
Ankimimi i fundit për sistemin e Thesarit është pjesë e një serie të gjatë procedurash publike për sistemet teknologjike të shtetit, të cilat shpesh përfundojnë pranë KPP dhe pengojnë finalizimin e kontratave. Më parë janë ankimuar tenderët për shërbimin e internetit dhe intranetit të institucioneve publike, me fond rreth 4.8 milionë euro, të cilat u pezulluan dhe më pas u rihapën.
Një tjetër rast i përsëritur është ai i mirëmbajtjes së platformës së fiskalizimit, e cila u pezullua për muaj me radhë për shkak të ankimeve. Këto procedura të zvarritura krijojnë probleme jo vetëm për administratën, por edhe për bizneset që varen nga këto sisteme.
Efektet e ankimeve të vazhdueshme janë ndjerë dukshëm jashtë zyrave të administratës. Bizneset janë përballur vazhdimisht me ndërprerje të shërbimeve online, përfshirë platformën e-Albania dhe sistemin e SelfCare të Tatimeve. Këto pengesa kanë ndikuar drejtpërdrejt në lëshimin e faturave dhe në funksionimin normal të punës./Monitor










