Nisma për t’i siguruar një shtëpi Stenaldo Mëhillit po merr përmasa akoma më të mëdha.
Disa ditë pasi biznesmeni dhe themeluesi i fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, dhuroi plot 10 mijë euro dhe bëri një thirrje publike për ta ndihmuar, tashmë është hapur zyrtarisht edhe një fushatë në platformën “GoFundMe”.
Ky hap vjen si një vazhdimësi e iniciativës së nisur nga z. Palushi, duke i dhënë mundësinë të gjithë atyre që u prekën nga kjo histori, të japin kontributin e tyre.
Vetë Stenaldo e ka ndarë këtë hap të ri në profilin e tij në Instagram, duke treguar mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen fillestare që i dha hov kësaj fushate:
“Dua të shpreh falënderimet më të sinqerta për Shaqir Palushin dhe fondacionin Golden Eagle që ndërmorën një iniciativë kaq të fortë mbështetjeje,” – shkruan Stenaldo krahas linkut të “GoFundMe”.
Në postimin e tij, ai shton një mesazh mjaft frymëzues për të gjithë ata që kalojnë sfida të ngjashme: “Në fund bindem që të pranosh vështirësitë, por edhe të kërkosh ndihmë, të bën thjesht të vërtetë. Ju jam mirënjohës, falënderues pa masë, për çdo kontribut.”
Me hapjen e “GoFundMe”, thirrja e Shaqir Palushit është shndërruar në një lëvizje të gjerë solidariteti. Tashmë çdokush mund të klikojë linkun dhe të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi human, për ta ndihmuar Stenaldon të bëjë realitet ëndrrën jetësore për një strehë të sigurt. /Prive By Liberta Spahiu










