E bujshme nga Spanja, Armando Broja i vetëofrohet Barcelonës


Edhe pse po kalon një sezon me ulje-ngritje dhe pa shumë minuta në këmbë për shkak të lëndimeve, emri i Armando Brojës është lidhur me një kalim nga Burnley te Barcelona. Është media spanjolle ‘Fichajes.net’ që bën me dije se emri i sulmuesit shqiptar i është ofruar Barçës si një alternative për të forcuar skuadrën në fazën sulmuese.

“Drejtuesve që merren me merkaton e Barcelonës iu pëlqejnë lëvizjet me kosto të ulët. Situata e tyre ekonomike i detyron ata që të shohin për mundësi të tilla si huazime apo nënshkrime me kosto të ulët dhe Armando Broja i përshtatet në mënyrë perfekte këtij profili”, shkruan media spanjolle.

Barcelona e sheh Armando Brojën si një mundësi interesante në treg. Sulmuesi i Burnleyt është ofruar nga ndërmjetës dhe situata e tij hap derën për një negociatë të mundshme. Sulmuesi po kërkon një ndryshim pas një sezoni të vështirë të mbushur me lëndime.

Kjo ia ka zvogëluar kohën e lojës, por gjithashtu ka lehtësuar largimin e tij me kushte më të favorshme. Barcelona beson se Armando Broja mund t’i sjellë sulmit lojë fizike, thellësi dhe një prani të fortë në fazën e avancuar. Për më tepër, mbërritja e tij nuk do të kërkonte një shpenzim të konsiderueshëm, duke e bërë atë një alternativë të mundshme.

Alexander Sorloth dhe Vedat Muriqi, alternativa të tjera



Burimi Shekulli.com.al