Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në nismën “Next in Tourism”, së bashku me kryetarin e bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo dhe përfaqësues të sektorit të turizmit.
Në takim u ndanë ide e eksperienca mbi ecurinë dhe sfidat e industrisë së turizmit dhe për situatën rajonale e kontekstin shqiptar.
Aktiviteti përkoi me çeljen e sezonit turistik në Himarë, ku përgjatë tri ditëve janë mbledhur miq e dashamirës, si edhe shumë drejtues e protagonistë të fushave që lidhen drejtpërdrejt me turizmin, theksoi ministri.
Gonxhja nënvizoi se, ekipi i MTKS ndoqi me interes diskutimin e hapur me operatorë turistikë, sipërmarrës dhe përfaqësues institucionesh mbi modelet dhe perspektivën e re të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, me fokus të veçantë atë detar e mesdhetar, ku turizmi kulturor e sportiv, guidat dhe natyra luajnë një rol të rëndësishëm.
Gjatë këtij takimi, vijoi Gonxhja, u theksua se Himara po përjeton një rritje të qëndrueshme turistike, ku prioritet mbetet cilësia e shërbimit, ruajtja e mjedisit dhe forcimi i identitetit lokal.
Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve, profesionistëve dhe komunitetit për të ndërtuar një turizëm më të përgjegjshëm dhe afatgjatë.
Ministri theksoi se, “Next in Tourism” shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e partneriteteve që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e turizmit në Himarë dhe më gjerë.











