10 vite me qira, një fuçi me ujë dhe më pas shtëpia e parë/ Dritan Shakohoxha: M’u duk vetja mbret!


Komentatori sportiv Dritan Shakohoxha ka ndarë një pjesë personale të jetës së tij në emisionin “Pjaca” në Radar.al, ku foli për vitet e vështira me qira dhe emocionin e blerjes së shtëpisë së parë në Tiranë.

Në bisedën me gazetarin Alfred Peza, Shakohoxha tregoi se kishte jetuar për 10 vite me qira përpara se të arrinte të blinte apartamentin e tij të parë në vitin 2000.

“Shtëpinë e parë e kam blerë për 30 mijë dollarë. Kam marrë 10 mijë dollarë borxh nga një mik dhe paguaja 230 dollarë këst çdo muaj”, tregoi ai.

Sipas Shakohoxhës, apartamenti ndodhej pranë Shkollës së Baletit dhe ishte një pallat ekzistues i ndërtuar në kohën e komunizmit.]

Ai rrëfeu emocionet e asaj kohe, duke thënë se ndihej si “mbret” kur pa kushtet e apartamentit të ri.

“M’u duk vetja The King kur zbulova që banjoja ishte e gjitha me pllaka dhe që kishte ujë 100% në Tiranë”, tha ai.

Shakohoxha kujtoi gjithashtu vështirësitë e viteve me qira, ku në banjë mbante një fuçi të madhe me ujë për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt.

PJESË NGA BISEDA

Shakohoxha: Shtëpinë e parë që kam blerë, kam ndenjur 10 vjet me qira dhe kam blerë një shtëpi në 2000, 30 mijë dollarë, i kam marrë borxh 10 mijë dollarë një mikut tim dhe paguaja 230 dollarë muaj për muaj këste. 100 mijë dollarë rrogën, 230 dollarë paguaja muaj për muaj. Një pallat ekzistues nga të kohës së Enverit, mu te shkolla e baletit, pallat i mrekullueshëm, komshinj të mrekullueshëm, 2+1.

Peza: Mos më thuaj që nuk je ndjerë njeriu më i lumtur në botë?

Shakohoxha: Pa dyshim, pa dyshim. M’u duk vetja The King, kur zbulova që shtëpia e kishte banjon plot me pllaka, nuk kishte vetëm mur, po ta them me sinqeritetin më të madh dhe kishte ujë sepse ato kishin dhe një depozitë të vendosur dhe ishte hera e parë që kisha ujë 100% në Tiranë.

Peza: Që bëje dushin normal, dhe kishe ujë me ngrohje…

Shakohoxha: Çdo moment. Befas zbulova që…se gjithë ato vite që kisha pasur shtëpi me qira, kisha pasur një fuçi të madhe me ujë në banjë, e kisha makth atë fuçinë e madhe që ishte plot me ujë, kështu që shpëtova nga ajo fuçi.
Këtë shtëpi e blemë 30 mijë dollarë, sot mund të bëjë 100, pas 25 vitesh. Atë shtëpi 3 vjet më mbrapa e shitëm 70.



Burimi Monitor.al