Raporti i vitit 2025 i Agjencia e Inteligjencës Financiare ka zbuluar shtatë tipologji kryesore të pastrimit të parave në Shqipëri, ku përfshihen tregtia online e paregjistruar, investimet e dyshimta në pasuri të paluajtshme, kompanitë e marketingut online, transfertat ndërkombëtare dhe skemat mashtruese me POS.
Sipas raportit, një nga rastet më të bujshme lidhet me blerjen e një vile në bregdet me vlerë 1.5 milionë euro nga një vajzë 18-vjeçare. Financimi i kësaj prone është bërë nga motra e saj 40-vjeçare, rezidente në një shtet me lehtësira fiskale, e cila ka transferuar fondet nga një llogari bankare në Afrikën e Jugut, vend i konsideruar me risk të lartë për korrupsion dhe ekonomi informale.
Po gjatë vitit 2025, motra e saj ka blerë edhe një tjetër vilë në bregdet me vlerë 1.7 milionë euro, ndërsa rezulton të ketë investuar rreth 700 mijë euro edhe në blerjen e veprave të artit në Shqipëri. Sipas të dhënave të administruara, ajo është ortake e vetme e një kompanie të lojërave online në Seychelles dhe e lidhur me një tjetër kompani të regjistruar në një juridiksion me lehtësira fiskale. Autoritetet kanë evidentuar gjithashtu se bashkëshorti i saj rezulton i përfshirë në aktivitete kriminale të lidhura me krimin e organizuar.
Një tjetër skemë e identifikuar nga raporti lidhet me përdorimin e llogarive personale për aktivitet tregtar të paregjistruar. Një shtetas shqiptar, së bashku me 9 persona të tjerë, shumica familjarë, kanë qarkulluar rreth 1.9 milionë euro përmes depozitimeve dhe kartave të parapaguara Mastercard, të përdorura për blerje luksi dhe shopping online në vende të ndryshme. Në llogaritë e tyre janë kredituar edhe rreth 350 mijë euro si rimbursim TVSH-je nga kompanitë “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”, ndërkohë që biznesi i regjistruar prej tyre kishte deklaruar zero të ardhura dhe më pas ishte çregjistruar.
Raporti evidenton edhe investime masive në prona me çmime shumë më të ulëta se tregu. Një shtetas ka blerë mijëra metra katrorë truall në Kavajë, Prezë dhe zonën e Dajtit me çmime nga 4 deri në 21 euro për metër katror dhe më pas i ka rishitur për shuma disa herë më të larta. Në një rast, një tokë e blerë për 30 mijë euro është rishitur vetëm pak muaj më vonë për 423 mijë euro. Paralelisht, ai kishte krijuar një kompani ndërtimi që raportonte fitime deri në 1.7 milionë euro dhe zotëronte një numër të konsiderueshëm makinerish, duke ngritur dyshime për burimin real të financimeve.
Në raport përmenden edhe 11 kompani të regjistruara në Shqipëri, të cilat kanë përfituar transferta në vlerë 3.74 milionë euro nga vende të Europës dhe Azisë përmes aktivitetit të marketingut online. Sipas analizës së AIF, këto kompani kishin administratorë dhe ortakë të lidhur mes tyre, operonin në të njëjtën fushë dhe shumica u çregjistruan vetëm pak muaj pas krijimit. Autoritetet tatimore kanë referuar disa prej tyre për fshehje të ardhurash dhe mospagim taksash.
Një tjetër rast lidhet me një person me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili kishte ndryshuar gjeneralitetet dhe kishte transferuar 120 mijë euro jashtë vendit për blerje pasurie të paluajtshme. Fondet ishin siguruar përmes depozitimeve personale dhe transfertave të dyshimta nga persona pa lidhje familjare.
Raporti evidenton gjithashtu rastin e një ish-zyrtari shtetëror, të dënuar më parë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, i cili gjatë vitit 2024 kishte prenotuar apartamente, poste parkimi dhe njësi tregtare me vlerë totale mbi 150 mijë euro. Fondet rezultonin të ardhura nga depozitime dhe transferta të ndryshme të justifikuara si hua, dhurime apo likuidime borxhesh, por me lidhje të paqarta mes palëve.
Një tjetër skemë e dyshuar lidhet me mashtrimin financiar përmes terminaleve POS. Një kompani shqiptare me administrator të huaj kishte realizuar dhe tentuar transaksione mbi 1 milion euro përmes një karte bankare belge gjatë festave të fundvitit 2024. Pjesa më e madhe e shumës ishte tërhequr menjëherë nga llogaria, ndërsa tentativa për të kaluar 790 mijë euro të tjera u bllokua nga Mastercard International. Kompania kishte shtuar pak para transaksioneve aktivitetin “Agjenci Turistike dhe Udhëtimesh”, për të justifikuar faturat e lëshuara për shërbime si eskortë dhe makina me qira VIP.
Në përfundim të analizës, Agjencia e Inteligjencës Financiare thekson se të gjitha rastet janë referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve ligjzbatuese, për shkak të dyshimeve për pastrim parash, fshehje të ardhurash, mashtrim financiar, evazion fiskal dhe lidhje me aktivitete kriminale.










