Shqipëria dhe Izraeli kanë hedhur një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që synon transferimin e teknologjisë, inovacionit dhe ekspertizës izraelite në vendin tonë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, vlerësoi potencialin e madh të bujqësisë shqiptare, duke theksuar cilësinë e produkteve organike dhe përkushtimin e forcës punëtore. Sipas saj, zhvillimi i mëtejshëm i sektorit kërkon partneritete të forta tregtare dhe investime në teknologji, të cilat mund të sjellin rritje ekonomike dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
“Bujqësia është shumë më tepër se një sektor ekonomik. Përballë sfidave globale si ndryshimet klimatike, pasiguria gjeopolitike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, rëndësia e saj bëhet gjithnjë e më e madhe”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, nënvizoi se fermerët shqiptarë kanë nevojë për më shumë njohuri dhe teknika moderne prodhimi për të përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ai solli si shembull Izraelin, një vend që ka arritur sukses në bujqësi jo për shkak të bollëkut të burimeve natyrore, por falë përdorimit efikas dhe inteligjent të tyre.
Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë së Izraelit, Oren Lavi, theksoi se teknologjia, kërkimi shkencor dhe inteligjenca artificiale do të luajnë një rol vendimtar në përballimin e sfidave të së ardhmes, veçanërisht në garantimin e sigurisë ushqimore për një popullsi globale që pritet të arrijë në 9 miliardë banorë deri në vitin 2050.
Në konferencë morën pjesë edhe 12 kompani izraelite të specializuara në teknologji bujqësore dhe siguri ushqimore, të cilat do të shkëmbejnë përvojat dhe zgjidhjet e tyre me kompanitë shqiptare, duke hapur rrugën për projekte të reja bashkëpunimi dhe modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri.










