Një argument i zakonshëm për të zbutur shqetësimet rreth konsumit të energjisë nga qendrat e të dhënave është ideja se inteligjenca artificiale do të bëhet më efikase me kalimin e kohës. Por sipas një raporti të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ky është një iluzion i rrezikshëm.
Raporti paralajmëron se deri në vitin 2030, përdorimi i energjisë nga AI mund të dyfishohet, duke konsumuar rreth 3% të energjisë elektrike globale. Emëtimet e karbonit do të barazoheshin me ato të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa uji i nevojshëm për ftohjen e qendrave të të dhënave do të tejkalonte nevojat vjetore për ujë të pijshëm të gjithë popullsisë botërore.
Në qendër të raportit qëndron i ashtuquajturi “Jevons paradox”, i formuluar nga ekonomisti William Stanley Jevons. Kur një teknologji bëhet më efikase dhe më e lirë, ajo përdoret më shumë, dhe në fund konsumon më tepër burime. Pikërisht kjo pritet të ndodhë me AI, pasi modelet më të lira dhe më të fuqishme do të nxisin përdorim masiv, duke fshirë çdo fitim nga efikasiteti.

Shifrat janë alarmante. Sot, qendrat e të dhënave konsumojnë energji sa e gjithë Arabia Saudite. Nëse ky konsum dyfishohet, do të duheshin 6.7 miliardë pemë të rritura për 10 vite vetëm për të kompensuar emetimet. Përveç kësaj, nevojiten 9.3 trilion litra ujë dhe sipërfaqe toke gati 10 herë më e madhe se Mexico City.
Raporti nxjerr në pah edhe pabarazitë globale, pasi vetëm 32 shtete kanë infrastrukturë cloud për AI dhe 90% e saj ndodhet në SHBA dhe Kinë. Ndërkohë, vendet që nuk kontrollojnë AI shpesh mbajnë barrën mjedisore të nxjerrjes së mineraleve dhe e-mbetjeve.
OKB bën thirrje për “AI të përgjegjshme”, me transparencë mjedisore, përgjegjësi gjatë gjithë ciklit jetësor dhe bashkëpunim global.
The post OKB raporton se AI së shpejti do të përdorë 3% të elektricitetit në mbarë botën first appeared on Geek Room.









