Flet legjenda Ibrahim Tatlises, jep lajmin për gjendjen e tij shëndetësore


Legjenda e muzikës turke, Ibrahim Tatlises, ka reaguar publikisht përmes një njoftimi në rrjetet e tij sociale, për të sqaruar të gjitha lajmet që kanë qarkulluar ditët e fundit rreth shëndetit të tij. Këto deklarata të artistit vijnë pas shqetësimeve të javëve më parë, kur përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore bëri që ai të shtrohej në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Megjithatë, duke u ndalur te zërat e fundit, Tatlises ka sqaruar se aktualisht nuk ndodhet në spital për ndonjë rast urgjent. Ai shpjegoi se pas operacionit që ka kaluar, i është dashur të qëndrojë i palëvizur për disa kohë, gjë që ka shkaktuar një rënie të forcës muskulore dhe disa dobësime trupore. Me këshillën e mjekëve të tij, dhe me dëshirën e tij të plotë për t’u rikthyer më i fuqishëm në përditshmëri, ai ka nisur një program të rregullt të fizioterapisë.

Ai ka mohuar prerazi spekulimet se është dërguar me urgjencë në institucionet shëndetësore apo se po trajtohet për ndonjë krizë të papritur. Përkundrazi, këngëtari theksoi se gjithçka është e planifikuar dhe se fizioterapia po bëhet thjesht për të përmirësuar edhe më shumë gjendjen e tij aktuale në mënyrë të kontrolluar.

Në mbyllje të mesazhit të tij, artisti i madh ka falënderuar nga zemra të gjithë miqtë, adhuruesit dhe popullin që kanë pyetur për të, kanë bërë lutje dhe i kanë dërguar mesazhe shërimi. Ai u shpreh plot shpresë se me ndihmën e Zotit do ta përfundojë me sukses këtë proces riaftësimi dhe do të vazhdojë jetën e tij me më shumë fuqi. /Prive By Liberta Spahiu



Burimi Privebruto.com