Mbrëmë, Prishtina mirëpriti një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike, Mahmut Orhan. DJ i njohur dhuroi një performancë të shkëlqyer për publikun, duke e mbajtur atmosferën në nivele të larta gjatë gjithë natës. Por, meqenëse po performonte në Kosovë, në setin e tij muzikor nuk kishte se si të mungonte një super hit nga një artiste kosovare.
Gjatë mbrëmjes, Orhan zgjodhi t’i bënte një lloj homazhi tregut tonë muzikor duke luajtur “Si ai” nga Tayna. Ky detaj u prit natyrshëm me shumë entuziazëm nga turma në Prishtinë, e cila e kërceu në maksimum këngën që prej kohësh ka pushtuar rrjetet sociale. Për më tepër, vlerësimi i DJ-it nuk u ndal vetëm aty. Pas përfundimit të eventit, ai e publikoi pikërisht momentin e kësaj kënge në llogarinë e tij në Instagram, duke e ndarë atmosferën e krijuar në Prishtinë nga hiti i Taynës me miliona ndjekësit e tij.
Ky moment vjen si një tjetër dëshmi e suksesit ndërkombëtar që “Si ai” dhe jo vetëm ka arritur.
Projekti i Taynës është kthyer në një trend global, duke u përfshirë shpesh në setet e shumë emrave të njohur të muzikës elektronike dhe duke u dëgjuar në klube anë e mbanë botës. Përzgjedhja nga Mahmut Orhan pikërisht në skenën e Prishtinës, ishte një moment i gjetur që konfirmon edhe një herë shtrirjen e gjerë të këtij hiti . /Prive By Liberta Spahiu










