Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila synon zgjerimin e projektit për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Sipas ministrit, marrëveshja përmbyll paketën financiare të një prej projekteve më të mëdha hekurudhore të realizuara në vend gjatë dekadave të fundit, duke krijuar kushtet për elektrifikimin e plotë të linjës Tiranë-Durrës-Rinas.
“Me këtë financim bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe certifikimi sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke sjellë për herë të parë një shërbim modern hekurudhor me trena elektrikë”, deklaroi Karakaçi gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ai bëri të ditur se punimet civile për projektin kanë përfunduar, ndërsa sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit dhe stacionet e reja vijojnë të ndërtohen. Me miratimin e marrëveshjes me BERZH pritet të nisë edhe faza e elektrifikimit të linjës.
Karakaçi theksoi se synimi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2027 qytetarët të kenë në dispozicion një linjë hekurudhore moderne, të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Ministri nënvizoi se projekti Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin “Nënë Tereza” janë pjesë e një programi më të gjerë për zhvillimin e transportit hekurudhor në vend. Sipas tij, paralelisht po avancojnë projektet për zgjatjen e hekurudhës drejt stacionit qendror të Tiranës, ndërtimin e sistemit modern të mirëmbajtjes së trenave, si dhe përgatitjen e kontratës së shërbimit publik për garantimin e një transporti hekurudhor cilësor.
Duke folur për projektet e tjera, Karakaçi tha se kanë përparuar procedurat për rikonstruksionin e linjës Vorë-Shkodër-Hani i Hotit.
“Për linjën Vorë-Shkodër-Hani i Hotit jemi në procedurë konkurruese dhe pritet finalizimi i saj shumë shpejt”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se janë në proces edhe procedurat për rikonstruksionin e segmentit Durrës-Rrogozhinë, ndërsa po hartohet projekti inxhinierik për vijimin e linjës nga Rrogozhina drejt Pogradecit.
Sa i takon projekteve strategjike, Karakaçi veçoi lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, të cilën e konsideroi një prioritet afatgjatë, ndërsa theksoi se po punohet për sigurimin e financimit dhe krijimin e kushteve për realizimin e saj.
“Këto investime tregojnë qartë se Shqipëria nuk po ndërton vetëm një linjë hekurudhore, por një rrjet modern kombëtar të integruar me korridoret evropiane të transportit”, deklaroi ministri, duke shtuar se zhvillimi i infrastrukturës hekurudhore do të ndikojë në rritjen ekonomike, forcimin e Korridorit VIII dhe krijimin e një ekonomie më konkurruese dhe më miqësore me mjedisin.
Në përfundim, Karakaçi u bëri thirrje deputetëve të mbështesin me votë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me BERZH.










