BE do të detyrojë etiketimin e përmbajtjeve të krijuara nga AI


Që nga kjo javë, kompanitë që operojnë në Bashkimin Evropian duhet të respektojnë një rregull të ri që synon të rrisë transparencën mbi përdorimin e inteligjencës artificiale. Sipas fazës më të fundit të AI Act, çdo përmbajtje e krijuar ose e modifikuar në mënyrë domethënëse nga AI duhet të identifikohet qartë si e tillë.

Rregullat e reja prekin një gamë të gjerë materialesh, duke përfshirë tekstet e gjeneruara nga chatbot-et, imazhet, videot dhe audiot. Përveç etiketave të dukshme për përdoruesit, kompanitë duhet të implementojnë edhe masa teknike si ëatermarks dhe metadata të integruara, në mënyrë që origjina e përmbajtjes të mbetet e identifikueshme edhe pasi ajo shpërndahet në platforma të tjera.

Masa vjen në një kohë kur deepfake-et dhe përmbajtjet sintetike janë bërë gjithnjë e më bindëse, duke rritur shqetësimet për dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik.

Rregullorja zbatohet kryesisht për përmbajtjen e krijuar në kontekste profesionale. Materialet me interes publik të prodhuara nga AI pa mbikëqyrje editoriale njerëzore duhet të etiketohen, ndërsa përdorimi personal i AI dhe veprat artistike, satirike apo trillimet përjashtohen nga kjo kërkesë.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë nisur tashmë zbatimin e praktikave të ngjashme. TikTok etiketon prej kohësh përmbajtjen e krijuar nga AI, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram. Google gjithashtu ka nënshkruar kodin vullnetar të transparencës së BE-së dhe po bashkëpunon me kompani si Nvidia, OpenAI dhe Apple për standarde të përbashkëta të identifikimit dixhital.

Megjithëse disa kompani argumentojnë se kërkesat e reja mund të komplikojnë përvojën e përdoruesve, zyrtarët besojnë se transparenca do të bëhet një standard i ri. Bizneset kanë afat deri më 2 dhjetor për të përshtatur sistemet ekzistuese, përndryshe rrezikojnë gjoba të konsiderueshme.

The post BE do të detyrojë etiketimin e përmbajtjeve të krijuara nga AI first appeared on Geek Room.



Burimi Geekroom.al