Leximi i mendimeve me ndihmën e inteligjencës artificiale nuk është më vetëm fantashkencë. Pas përparimeve të fundit të Meta-s me sistemin Brain2Qëerty, një startup i ri amerikan, Conduit, synon të krijojë pajisje që mund të komunikojnë me AI përmes mendimeve, pa pasur nevojë për implante në tru.
E themeluar në vitin 2024, Conduit po zhvillon atë që e quan “telepati në shkallë të gjerë“. Objektivi është krijimi i një pajisjeje të veshshme, në formën e një shiriti për kokën, që do t’u lejojë përdoruesve të kontrollojnë asistentët me inteligjencë artificiale vetëm përmes aktivitetit të trurit, duke eliminuar komandat zanore ose tekstin.

Për të trajnuar modelet e saj të AI, kompania po mbledh të dhëna nga vullnetarë që kalojnë deri në dy orë duke biseduar me modele gjuhësore ose duke shkruar, ndërsa mbajnë një helmetë me elektroda që regjistron sinjalet e trurit. Çdo pjesëmarrës paguhet $50 deri në $55 për seancë, me një maksimum prej 32 pjesëmarrjesh.
Startup-i u themelua nga Rio Popper dhe studiuesi i AI Clem von Stengel, ndërsa së fundmi iu bashkua edhe Naomi Bashkansky, ish-kërkuese në OpenAI. Sipas saj, teknologjia mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me inteligjencën artificiale, duke e bërë komunikimin shumë më natyral dhe të menjëhershëm.
Bashkansky parashikon që deri në vitin 2030 pajisjet neurale të Conduit mund t’u lejojnë përdoruesve të kontrollojnë mjete si ChatGPT apo Codex vetëm me mendime. Megjithatë, rruga mbetet e gjatë dhe sfidat teknike e etike janë të mëdha.










