Google prezanton gjeneratën e re Pixel: Seria Pixel 11, Pixel Watch 5 dhe Pixel Tag


Google ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën më të re të pajisjeve Pixel gjatë eventit Made by Google 2026, duke vendosur fokusin te inteligjenca artificiale, fotografia kompjuterike dhe integrimi i plotë i ekosistemit. Në qendër të vëmendjes ishte seria Pixel 11, e përbërë nga 4 modele, së bashku me orën inteligjente Pixel Watch 5 dhe aksesorin e ri Pixel Tag, rivali i drejtpërdrejtë i Apple AirTag. Të gjitha pajisjet janë ndërtuar rreth platformës Gemini dhe çipit të ri Tensor G6, duke sjellë përmirësime të dukshme në performancë, siguri dhe funksionet AI.

Pixel 11

Pixel 11 shënon një hap të rëndësishëm për modelin standard të Google. Smartphone fuqizohet nga procesori i ri Tensor G6, vjen me hapësirë bazë prej 256 GB dhe përfiton kamera të përmirësuara, duke përfshirë edhe një lente telefoto, një risi për variantin bazë të serisë. Google ka integruar gjithashtu funksione të reja të fotografisë të mbështetura nga AI, si Magic Capture dhe Camera Looks, që e bëjnë më të lehtë realizimin e fotove profesionale pa ndërhyrje manuale.

Pixel 11 Pro dhe Pixel 11 Pro XL

Modelet Pixel 11 Pro dhe Pixel 11 Pro XL ndajnë të njëjtën filozofi, por ndryshojnë në madhësinë e ekranit dhe baterisë. Të dy pajisjet ofrojnë ekrane më të ndritshme, sistem kamerash të avancuar me zmadhim deri në 120x, regjistrim 8K Pro Stable Video dhe funksionin ekskluziv Instant Night Sight, që përmirëson ndjeshëm fotografitë në errësirë.

Një tjetër element i ri është HiLight, një dritë LED e integruar për njoftime, e cila rikthen një funksionalitet të munguar prej vitesh në telefonat inteligjentë.

Pixel 11 Pro Fold

Google nuk ka lënë pas edhe segmentin e telefonëve të palosshëm. Pixel 11 Pro Fold vjen me korniza më të holla, konstruksion më rezistent dhe përmirësime në ekranin e brendshëm. Pajisja përfiton të gjitha veçoritë AI të serisë Pixel 11, duke përfshirë përpunimin inteligjent të fotografive dhe asistencën e Gemini, ndërsa synon të konkurrojë drejtpërdrejt me modelet premium të Samsung dhe Honor në tregun e telefonëve foldable.

Pixel Watch 5

Krahas telefonëve, Google prezantoi edhe Pixel Watch 5, e disponueshme në dy madhësi. Ora përdor çipin Snapdragon W5 Gen 2 dhe sjell përmirësime në autonomi, GPS dhe monitorimin e shëndetit. Ndër veçoritë e reja spikasin monitorimi i tendencave të presionit të gjakut, zbulimi i emergjencave gjatë frymëmarrjes dhe funksione të avancuara të Fitbit të mbështetura nga inteligjenca artificiale, duke e kthyer orën në një partner më të plotë për aktivitetin fizik dhe mirëqenien.

Pixel Tag

Një nga surprizat e eventit ishte Pixel Tag, pajisja e parë e Google për gjurmimin e objekteve. Ajo funksionon me rrjetin Find Hub dhe kombinon teknologjitë Ultra Wideband (UWB) dhe Bluetooth 6.0 Channel Sounding për lokalizim shumë më të saktë të sendeve të humbura. Pixel Tag ofron rezistencë IP67, bateri që zgjat mbi një vit dhe mund të aktivizohet edhe përmes Gemini për të lëshuar sinjal zanor. Me këtë produkt, Google hyn zyrtarisht në një treg të dominuar deri më tani nga Apple AirTag dhe Samsung SmartTag.

Me këtë valë produktesh të reja, Google nuk synon vetëm të përmirësojë harduerin e saj, por edhe të krijojë një ekosistem ku inteligjenca artificiale bashkëpunon në mënyrë të pandërprerë mes telefonit, orës inteligjente dhe aksesorëve, duke e bërë përvojën Pixel më të integruar se kurrë më parë.





Burimi Geekroom.al