Dy milionë turistë në korrik, mbi 7 milionë të huaj hynë në Shqipëri në 7 muaj, 6.5% më shumë se vjet


Shqipëria ka regjistruar një tjetër rritje të fluksit të turistëve të huaj. Vetëm gjatë korrikut, në vend hynë rreth 1 milionë e 955 mijë shtetas të huaj, 7.1% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërsa në shtatë muajt e parë të 2026-ës, numri i hyrjeve ka kaluar 7 milionë.

Korriku shënon pikun e sezonit veror dhe shifrat tregojnë se fluksi i turistëve të huaj është rikthyer në një ritëm më të fortë.

Sipas të dhënave, 1.955 milionë të huaj hynë në Shqipëri vetëm gjatë muajit korrik, duke shënuar edhe nivelin më të lartë mujor të hyrjeve gjatë këtij viti.

Në total, gjatë periudhës janar-korrik, Shqipëria ka regjistruar mbi 7 milionë hyrje të shtetasve të huaj, rreth 427 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja vjetore është 6.5%.

Pushimet mbeten arsyeja kryesore

Sezoni veror vijon të jetë një prej faktorëve kryesorë që nxit ardhjen e të huajve në Shqipëri.

Rreth 99% e hyrjeve të shtetasve të huaj janë për qëllime personale. Në këtë kategori përfshihen pushimet, vizitat te të afërmit dhe udhëtime të tjera personale.

Në të kundërt, hyrjet për qëllime biznesi dhe arsye profesionale kanë shënuar rënie me 8.9%.

Europa sjell pjesën më të madhe të turistëve

Harta e turistëve që vizitojnë Shqipërinë vijon të jetë e përqendruar kryesisht në Europë.

Vetëm gjatë korrikut, nga vendet europiane u regjistruan rreth 1.83 milionë hyrje, ndërsa Europa Jugore vijon të mbajë peshën kryesore në fluksin e vizitorëve.

Me korrikun tashmë pas dhe gushtin në kulmin e sezonit, turizmi shqiptar ndodhet në periudhën më intensive të vitit.

Megjithatë, përtej numrit të hyrjeve, sfida për sektorin turistik mbetet që ky fluks të përkthehet në më shumë netë qëndrimi, shpenzime dhe të ardhura për ekonominë shqiptare.

Rriten edhe daljet e shqiptarëve

Në të njëjtën periudhë është rritur edhe numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit.

Në shtatë muajt e parë të vitit, nga Shqipëria kanë dalë rreth 4.9 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa vetëm gjatë korrikut numri i daljeve arriti në rreth 790 mijë.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë vlerësojnë se sezoni 2026 ka shfaqur luhatje, me një përqendrim të fluksit të turistëve në disa muaj të vitit.

Pritshmëritë e sektorit mbeten të larta edhe për shtatorin dhe tetorin, të cilët mund të zgjasin sezonin turistik përtej muajve tradicionalë të verës.



Burimi Monitor.al