Merr hov ndërtimi në Shqipëri, bashkitë miratojnë 782 leje në 6 muaj! Vlera 30.2 miliardë lekë, shtojnë me 12.2 miliardë lekë të ardhurat e bashkive


Në Shqipëri po ndërtohet më shumë se në vitin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton për 782 leje të reja të miratuara nga pushteti vendor në gjashtëmujorin e parë të vitit gati 28% më shumë se vjet, kur 61 bashkitë e vendit kishin miratuar në total 610 leje ndërtimi.

Rritja e numrit të lejeve është shoqëruar edhe me zgjerim të sipërfaqes së re të ndërtimit. Lejet e miratuara zënë rreth 684 mijë metra katrorë, nga 613 mijë metra katrorë një vit më parë.

Por pavarësisht rritjes së numrit të lejeve dhe sipërfaqes, vlera e përafërt e ndërtimeve të reja ka shënuar rënie. Në janar–qershor 2026, u përllogaritën 30.2 miliardë lekë, nga 32.2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një ulje prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 6.2%.

Pra, gjashtëmujori i parë i 2026 tregon më shumë leje dhe më shumë sipërfaqe ndërtimi, por një vlerë më të ulët të investimeve të parashikuara

Ky raport i INSTAT nuk ka të përfshira lejet e ndërtimit që japin institucionet e tjera si KKT, për kullat e mëdha apo për resortet, që kanë sipërfaqe më të madhe ndërtimore por dhe vlerë më të lartë investimi.

Ndërtimet e reja janë burimi kryesor i të ardhurave për pushtetin vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjysma e parë e viti u mbyll me 18.3 miliardë lekë të ardhura nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’, me rritje prej 12.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025.

Bashkia e Tiranës është në krye me vlerën më të madhe të të ardhurave nga kjo taksë me 12.4 miliardë lekë në 6 muaj, ndjekur nga Bashkia Himarë me 1.2 miliardë lekë, më pas është Durrësi me 841 milionë dhe më tej Kavaja me 620 milionë lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

LEJET E MIRATUARA NGA BASHKITË

Janar- Qershor 2025         610

Janar- Qershor 2026         782

Diferenca                        +172

SIPËRFAQJA E LEJEVE TË REJA

Janar- Qershor 2025         613 mijë metër²

Janar- Qershor 2026         684 mijë metër²

Diferenca                          +71 mijë metër²

VLERA E PËRAFËRT E NDËRTIMEVE TË REJA

Janar- Qershor 2025         32.2 mld lekë

Janar- Qershor 2026         30.2 mld lekë

Diferenca                             -2 mld lekë

Tabela nr.1: Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (në mijë lekë)

Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja Realizimi 6M 2026 Realizimi 6M 2025 Rritja6M 2026-6M 2025
Bashkia Tiranë 12,467,490 2,696,517 9,770,973
Bashkia Himarë 1,211,035 301,680 909,355
Bashkia Sarandë 477,903 70,671 407,232
Bashkia Durrës 841,338 532,741 308,597
Bashkia Shkodër 327,470 20,163 307,307
Bashkia Lezhë 230,636 41,824 188,812
Bashkia Kavajë 620,046 452,584 167,462
Total pushteti vendor 18,342,610 6,142,446 12,200,164

Burimi: Drejtoria e Financave Vendore, Ministria e Financave (2026)



Burimi Monitor.al