ChatGPT do të përballet me rregulla më të rrepta në Evropë


ChatGPT do të përballet së shpejti me kërkesa të reja dhe më të rrepta në Bashkimin Evropian, pasi Komisioni Evropian e ka klasifikuar shërbimin si “Very Large Online Search Engine” sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Ky status nënkupton një nivel më të lartë përgjegjësie për OpenAI, veçanërisht për rreziqet që lidhen me ndikimin e ChatGPT te të miturit, shëndetin mendor të përdoruesve dhe përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ka klasifikuar edhe Reddit dhe Roblox si “Very Large Online Platforms”, duke i vendosur nën të njëjtin kuadër rregullator. DSA vendos kufizime mbi mënyrën se si platformat mund të përdorin të dhënat personale për reklama, duke ndaluar targetimin e të miturve dhe përdorimin e të dhënave si orientimi seksual, feja, etnia apo bindjet politike për qëllime reklamimi.

Platformat duhet gjithashtu të ofrojnë më shumë transparencë mbi mënyrën se si funksionojnë algoritmet e rekomandimeve dhe të marrin masa për të identifikuar e reduktuar rreziqet sistemike që krijojnë shërbimet e tyre.

Sipas DSA, një platformë ose motor kërkimi konsiderohet “Very Large” kur arrin të paktën 45 milionë përdorues mesatarë mujorë në BE.

ChatGPT, Reddit dhe Roblox kanë afat deri në fund të dhjetorit 2026 për të respektuar plotësisht kërkesat e reja.

Nivelet e reja të klasifikimit nënkuptojnë se ChatGPT, Reddit dhe Roblox do t’i nënshtrohen një standardi më të lartë kontrolli dhe përgjegjësie”, deklaroi Henna Virkkunen, zëvendëspresidentja ekzekutive e BE-së për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.



Burimi Geekroom.al