Geek Room dhe Neptun rikthehen në IFA 2026


IFA, një nga eventet më të rëndësishme të teknologjisë dhe elektronikës së konsumit në botë, rikthehet këtë shtator dhe Geek Room do të rikthehet sërish në ambientet e Messe Berlin. Për të shtatin vit radhazi, Geek Room do të udhëtojë së bashku me Neptun në datat 5-6 shtator për të sjellë nga afër risitë më të fundit që do të prezantohen në një prej panaireve më të mëdha të teknologjisë në Evropë.

IFA 2026 zhvillohet zyrtarisht nga 4 deri më 8 shtator, ndërsa edicioni i këtij viti vjen nën sloganin “The Future Is Now”. Panairi do të mbledhë në Berlin kompanitë më të mëdha të industrisë, startup-et dhe inovatorët që po punojnë për gjeneratën e ardhshme të pajisjeve dhe shërbimeve teknologjike.

Inteligjenca artificiale pritet të jetë sërish një nga temat kryesore të panairit, por këtë vit fokusi do të jetë gjithnjë e më shumë tek mënyra se si AI po integrohet në produktet që përdorim çdo ditë.

Nga televizorët dhe laptopët e rinj, te telefonat, pajisjet smart për shtëpinë, pajisjet elektroshtëpiake, audio, gaming dhe teknologjitë e lidhura, IFA 2026 pritet të sjellë një panoramë të qartë të drejtimit ku po shkon industria.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe robotikës dhe startup-eve. Vetëm zona IFA Next do të zgjerohet këtë vit me rreth 300 ekspozues nga 25 shtete, duke sjellë projekte të reja në inteligjencën artificiale, robotikë, smart living dhe teknologji të tjera inovative.

Geek Room dhe Neptun do t’ju sjellin gjithçka nga Berlini

Ashtu si në edicionet e mëparshme, Geek Room dhe Neptun do të jenë në terren për t’ju sjellë më pranë teknologjisë që po prezantohet për herë të parë.

Do të ndjekim nga afër prezantimet e markave më të mëdha, do të provojmë produktet më interesante dhe do t’ju tregojmë se cilat prej risive të prezantuara në Berlin ia vlen të ndiqen.

Pra, shënojini datat 5 dhe 6 shtator 2026!



Burimi Geekroom.al