Tayna mbyll një kapitull: Merr vendimin pas tetë vitesh në skenën muzikore


Artistja e njohur Tayna ka përmbyllur zyrtarisht turneun e saj veror të titulluar “Genesis Summer Tour”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo ka bërë të ditur se pas tetë vitesh pune të pandërprerë në skenë dhe në mbrëmje muzikore, ka ardhur koha për të marrë një pushim të merituar nga performancat e shpeshta në diskoteka.

Gjatë këtij sezoni, këngëtarja zhvilloi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë vendit. Duke reflektuar mbi këtë periudhë dinamike, ajo e përshkroi verën si mjaft intensive, por me përvoja të çmueshme për të:

“8 vjet aktive, 8 vjet tu u pa me ju n’diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyne. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto e kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar,” ka shkruar artistja.

Një pjesë e madhe e suksesit të këtij sezoni i dedikohet albumit të saj “Genesis”, i cili u publikua në maj me gjithsej 13 këngë. Projektet e reja gjetën menjëherë mbështetje te dëgjuesit, gjë që u vërejt qartë edhe gjatë mbrëmjeve muzikore ku publiku i këndonte tekstet njëzëri.

Për këtë lidhje me me dëgjuesit, Tayna u shpreh e prekur:

“Një prej emocioneve më të mira ka qenë me pa sa shpejt i keni mësuar këngët, sidomos të ‘GENESIS’. Me nxjerrë një album prej shpirtit tim e pastaj me ardhur në klub e me ju dëgjuar juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj. Faleminderit secilit që ka ardhur këtë verë, që ka kënduar, bërtitur, kërcyer e ka bërë çdo natë me pas një kujtim të vetin.”

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Tayna la të kuptohet se kjo shkëputje është vetëm një pauzë e përkohshme për t’u rigjeneruar për punët e ardhshme.

Me pak doza humori, ajo paralajmëroi hapjen e faza të reja në karrierën e saj:

“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër.”

/Prive By Liberta Spahiu





Burimi Privebruto.com