OpenAI tregon se ka zgjidhur një problem matematikor 90 vjeçar në 88 orë


Inteligjenca artificiale po hyn në një territor ku deri tani dominonin vetëm matematikanët më të avancuar. OpenAI ka deklaruar se një prej modeleve të saj eksperimentale ka gjetur një zgjidhje për Navier-Stokes, një nga problemet më të famshme dhe më të vështira të matematikës, i cili ka mbetur i pazgjidhur për rreth 90 vite.

Për ta përballuar sfidën, OpenAI nuk përdori thjesht një chatbot të vetëm. Kompania vuri në punë rreth 10,000 agjentë AI, të cilët punuan paralelisht duke testuar hipoteza, qasje matematikore dhe mënyra të ndryshme për të ndërtuar provën. Brenda vetëm 88 orësh, sistemi arriti në atë që OpenAI e konsideron si një zgjidhje të mundshme të problemit.

Navier-Stokes lidhet me ekuacionet që përshkruajnë mënyrën se si lëvizin lëngjet dhe gazrat, duke pasur aplikime që shkojnë nga aerodinamika dhe parashikimi i motit deri te studimi i rrjedhjes së gjakut. Problemi matematikor kërkon të përcaktojë nëse këto ekuacione japin gjithmonë zgjidhje të rregullta apo nëse mund të krijojnë një singularitet ku vlerat bëhen të pakufizuara.

Rezultati i OpenAI është veçanërisht interesant sepse Navier-Stokes është një nga 7 Millennium Prize Problems, për zgjidhjen e të cilave Clay Mathematics Institute ofron një çmim prej 1 milion dollarësh. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se OpenAI e ka fituar çmimin.

Arsyeja është e thjeshtë, pasi zgjidhja ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga komuniteti matematikor. OpenAI e quan rezultatin një “arritje” për AI, por matematikanët duhet të kontrollojnë nëse prova është e saktë dhe nëse plotëson standardet e kërkuara.

Megjithatë proçesi nuk ka kaluar pa ankesa. Matematikani i Universitetit të Nju Jorkut, Tristan Buckmaster, pretendon se OpenAI nxitoi për të publikuar zgjidhjen e ekuacioneve Navier-Stokes pasi mori vesh se ai dhe studiuesi i Anthropic, Levent Alpöge, ishin shumë pranë një zbulimi të ngjashëm

Buckmaster ka ngritur dyshime serioze nëse sistemet ose agjentët e inteligjencës artificiale të OpenAI kanë pasur qasje të paautorizuar në shënimet e tyre të punës, të cilat ruheshin në platformën Codex të vetë OpenAI-t. Sipas tij, ky përparim i papritur mund të jetë nxitur nga monitorimi i punës së tyre kërkimore, akuzë të cilën drejtuesit e OpenAI e kanë mohuar prerazi.



Burimi Geekroom.al