Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj tij, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, lidhur me bllokimin e pagesave të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht.
Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në vend, së bashku me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, depozituan më 8 shtator kallëzim penal, duke kërkuar hetimin e ministrit Malaj, Gentian Kërit dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit.
Në reagimin e tij, Malaj e cilëson situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, ndërsa mbron qëndrimin e Ministrisë së Financave, duke argumentuar se institucioni ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan Malaj.
Sipas ministrit, Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë shtesat e kërkuara të pagave pa një vendim të ri të Parlamentit.
“Ne kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, shprehet ai.
Malaj thotë se qeveria shqiptare dhe përfaqësues të Parlamentit kanë deklaruar publikisht se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve nuk do të pengohet.
Sipas tij, çështja pritet të marrë zgjidhje më 17 shtator, kur parashikohet miratimi i një ligji që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për veprimin në këtë drejtim.
“Askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit”, deklaron ministri.
Por Malaj shprehet se, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor kanë zgjedhur të përshkallëzojnë përplasjen me ekzekutivin përmes kallëzimit penal.
Më tej, ministri ka bërë publike edhe shifrat që, sipas tij, përfaqësojnë kërkesat për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe efektin financiar që do të kishte kjo në buxhetin e shtetit.
Për një gjyqtar të Shkallës së Parë, sipas Malajt, paga aktuale është 376,381 lekë, ndërsa kërkohet 567,421 lekë. Për një gjyqtar të Shkallës së Dytë, paga aktuale është 388,927 lekë, ndërsa kërkohet 586,335 lekë.
Ndërsa për gjyqtarët e Grupit III në GJKKO, ministri thotë se paga aktuale është 659,920 lekë, ndërsa kërkesa është për 994,877 lekë.
Sipas Malajt, vetëm këto kërkesa do të kishin një efekt shtesë prej rreth 40 milionë eurosh në vit në buxhetin e shtetit.
Por ministri thotë se kërkesat nuk ndalen me rritjen e pagave aktuale. Sipas tij, magjistratët kërkojnë gjithashtu rishikimin e pagave për periudhën 2023-2026, me një efekt financiar prej 125 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.
Në fund të reagimit, Malaj u është drejtuar drejtuesve të Thesarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, të cilët janë kallëzuar së bashku me të, duke u kërkuar të vijojnë punën pa u intimiduar.
“Duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji”, përfundon ministri.
#PetritMalaj #SPAK #Gjyqtarët #Prokurorët #Magjistratët #MinistriaEFinancave #Thesari #GjykataKushtetuese #Pagat #Drejtësia #Buxheti #Shqipëri #Lajme










