Qeveria po rikthen në diskutim skemën e sigurimit të detyrueshëm të banesave nga tërmetet, këtë herë me disa ndryshime nga variantet e mëparshme. Në draftin më të fundit është hequr përfshirja e përmbytjeve, duke e përqendruar të gjithë mekanizmin vetëm te rreziku sizmik. Projektligji ndodhet tashmë në Këshillin e Ministrave, në pritje të miratimit.
Nëse nisma kalon në këtë formë, Shqipëria do të aplikojë për herë të parë një skemë të gjerë të sigurimit të detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve. Administrimi i saj do t’i besohet një strukture të re publike, ndërsa detyrimi do të përfshijë jo vetëm pronarët me dokumentacion të rregullt pronësie, por edhe kategori të tjera poseduesish.
Krijohet një fond i posaçëm publik
Projektligji parashikon ngritjen e Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet. Ai do të funksionojë si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku shteti do të përfaqësohet nga ministria përgjegjëse për financat.
Fondi parashikohet të ketë pavarësi financiare dhe operacionale, ndërsa drafti përcakton se ndaj tij nuk do të zbatohen procedurat e zakonshme të falimentimit apo likuidimit.
Kush do të duhet të sigurojë pronën?
Skema nuk do të zbatohet vetëm për apartamentet e përdorura si banesa. Në të përfshihen edhe ambientet që ndodhen në ndërtesa banimi, por përdoren për zyra, aktivitete tregtare apo funksione të ngjashme.
Nga detyrimi përjashtohen disa kategori ndërtesash, mes tyre objektet e ndërtuara me qerpiç, argjilë, fibër-kallami apo materiale të ngjashme, si edhe strukturat e lëvizshme ose të përkohshme.
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me konceptin e personit që duhet të sigurojë banesën. Drafti nuk e kufizon detyrimin vetëm te pronari i regjistruar në Kadastër. Në skemë mund të përfshihen edhe individë apo subjekte që e posedojnë dhe përdorin faktikisht pronën, edhe nëse ende nuk kanë përfunduar procedurat për marrjen e titullit të pronësisë.
Kjo mund të përfshijë, ndër të tjera, banesa në proces legalizimi ose regjistrimi, prona të përdorura prej vitesh në zona rurale apo raste të posedimit afatgjatë dhe të pakontestuar.
Sigurimi do të rinovohet çdo vit
Polica do të ketë afat njëvjeçar dhe do të duhet të rinovohet pas përfundimit të periudhës 12-mujore. Mbulimi do të nisë vetëm pasi të jetë paguar primi, ndërsa në rast vonese në pagesë sigurimi do të pezullohet deri në shlyerjen e detyrimit.
Për banesat e reja, detyrimi për sigurim do të nisë në momentin kur lëshohet dokumentacioni i kolaudimit.
Drafti parashikon gjithashtu mbështetje për shtresat sociale. Primi i banesave sociale do të mbulohet nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërsa për individët që përfitojnë ndihmë sociale pagesa do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Kategoritë dhe kriteret konkrete pritet të përcaktohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sa mund të kushtojë sigurimi?
Projektligji nuk vendos ende një tarifë përfundimtare që do të paguajë çdo familje. Llogaritja e primit do të bazohet në modele të rrezikut nga tërmetet dhe në përllogaritje aktuariale, ndërsa banesat pritet të klasifikohen sipas shkallës së ekspozimit ndaj rrezikut sizmik.
Metodologjia do të hartohet nga Fondi dhe do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pasi të merret edhe mendimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në diskutimet e zhvilluara deri tani është përmendur një prim orientues prej rreth 25-30 eurosh në vit, por kjo shumë nuk është përcaktuar përfundimisht në projektligj.
Edhe tavani maksimal i dëmshpërblimit do të vendoset në një fazë të mëvonshme me vendim të qeverisë. Drafti parashikon gjithashtu një pjesë të zbritshme prej 2% të vlerës së dëmshpërblimit, që do të përballohet nga vetë personi i siguruar.
Çfarë do të mbulojë polica?
Sigurimi do të mbulojë dëmet që tërmeti i shkakton pronës së paluajtshme gjatë periudhës kur kontrata është aktive.
Megjithatë, jo çdo pasojë do të kompensohet. Jashtë skemës mbeten dëmtimet fizike të personave, humbja e jetës, dëmet jopasurore, sendet që ndodhen brenda banesës, si dhe humbjet ekonomike që mund të vijnë nga ndërprerja e aktivitetit apo fitimi i munguar.
Për qëllimet e skemës, si “ngjarje tërmeti” konsiderohet një lëkundje me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës Rihter, e ndodhur në Shqipëri ose në vendet fqinje, nëse ka shkaktuar dëme në territorin shqiptar.
Paslëkundjet e regjistruara brenda 72 orëve do të trajtohen si pjesë e së njëjtës ngjarje. Në mbulim mund të përfshihen gjithashtu rrëshqitjet ose zhvendosjet e tokës, kur ato janë pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit sizmik.
Dëmshpërblimi, brenda tre muajve
Në rast dëmtimi, qytetarët do të duhet t’i paraqesin Fondit kërkesën për kompensim, së bashku me dokumentacionin përkatës.
Sipas draftit, pagesa e dëmshpërblimit duhet të kryhet brenda një periudhe deri në tre muaj nga momenti kur është dorëzuar dokumentacioni i plotë, në varësi edhe të nivelit të dëmit.
Për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, Fondi mund të angazhojë ekspertë të licencuar. Në raste tërmetesh të mëdha, kur nevojiten kapacitete shtesë, në proces mund të përfshihen inxhinierë, arkitektë, universitete dhe institucione të specializuara.
Pa policë sigurimi mund të kufizohen disa shërbime
Një nga pikat më të forta të projektligjit lidhet me mënyrën se si do të zbatohet detyrimi.
Për disa shërbime kadastrale, si regjistrimi apo ndryshimi i regjistrimit të një prone, qytetari do të duhet të provojë paraprakisht se ka një policë aktive të sigurimit të detyrueshëm. Në mungesë të saj, shërbimi mund të mos ofrohet.
Drafti parashikon gjithashtu që personat që nuk e përmbushin detyrimin për sigurim të mund të përballen me kufizime në marrjen e disa shërbimeve elektronike në e-Albania apo në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Lista e shërbimeve që mund të kushtëzohen pritet të përcaktohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sigurimet private do të lidhen me skemën e detyrueshme
Projektligji prek edhe tregun privat të sigurimeve. Kompanitë private nuk do të mund t’i ofrojnë një qytetari sigurim vullnetar të banesës nga tërmeti, nëse më parë nuk është lidhur polica e detyrueshme pranë Fondit.
Në rast se një pronë ka njëkohësisht sigurim të detyrueshëm dhe sigurim privat, dëmi deri në kufirin e përcaktuar nga skema publike do të mbulohet nga kjo e fundit. Për pjesën që tejkalon këtë shumë mund të aktivizohet kontrata private.
Personat që kanë një policë vullnetare aktive në momentin kur ligji hyn në fuqi nuk do të detyrohen ta blejnë menjëherë sigurimin e ri. Detyrimi për ta do të fillojë pasi kontrata ekzistuese të përfundojë.
Si do të financohet Fondi?
Të ardhurat e Fondit pritet të sigurohen nga primet e sigurimit, investimet, marrëveshjet e risigurimit, fondet nga buxheti i shtetit, grantet, donacionet dhe burime të tjera të ligjshme.
Fondet do të përdoren kryesisht për dëmshpërblimet, mbulimin e kostove të trajtimit të dëmeve, risigurimin, komisionet e shitjes dhe shpenzimet e funksionimit.
Drejtimi do të bëhet përmes Asamblesë së Përgjithshme, Këshillit Mbikëqyrës dhe administratorit. Në Këshillin Mbikëqyrës parashikohen pesë anëtarë, me përfaqësues nga Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucioni përgjegjës për gjeoshkencat dhe Instituti i Ndërtimit.
Risiguruesit jashtë procedurave të prokurimit
Për shkak të rrezikut financiar që mund të krijojë një tërmet i fuqishëm, skema do të mbështetet edhe te risigurimi.
Programi i risigurimit do të organizohet çdo vit dhe kompanitë do të duhet të përzgjidhen sipas kritereve të përcaktuara dhe rregullave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Megjithatë, projektligji parashikon që përzgjedhja e risiguruesve të mos kryhet sipas procedurave të zakonshme të prokurimit publik.










