Reforma e re e strehimit, Ibrahimaj: Kredi me 0% interes deri në 60 mijë euro dhe subvencionim të qirasë


Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po përgatit një paketë të re politikash për strehimin e përballueshëm, me fokus te familjet e reja, profesionistët dhe shtresat që, për shkak të rritjes së çmimeve të banesave, hasin vështirësi në përballimin e kostove të strehimit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se reforma është hartuar pas një viti analizash të modeleve europiane të strehimit dhe konsultimeve me aktorët e tregut, përfshirë Shoqatën e Ndërtuesve dhe përfaqësues të sektorit imobiliar.

Një nga skemat e reja parashikon mbështetjen e blerjes së banesës përmes kredive bankare me interes të subvencionuar. Për apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro, parashikohet kredi me 0% interes për përfituesin.

Për banesat me vlerë mbi 60 mijë euro, shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit mbi 3%, ndërsa blerja do të financohet përmes kredisë bankare. Kufiri maksimal i vlerës së banesës është ende në diskutim, por orientimi i ministrisë është rreth 200 mijë euro.

“Ne do të kemi limitin maksimal diku tek 200.000 euro dhe i dedikohet një kategorie tjetër, që janë të punësuar, që kanë filluar karrierën e tyre dhe ne duam t’i mbështesim”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas ministres, konsultimet me ndërtuesit kanë treguar se në rrethinat e Tiranës ka apartamente me sipërfaqe më të vogla dhe çmime që mund të përfshihen në skemën deri në 60 mijë euro.

Reforma parashikon gjithashtu një skemë të re për subvencionimin e qirasë për profesionistët, çiftet dhe familjet e reja.

Sipas propozimit, qiraja do të ketë një kufi deri në 500 euro, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere.

“Ne duam që të fillojmë një politikë për subvencionimin e qirasë, e cila nuk do të ketë një kosto më të madhe se 500 euro, ku qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere gjithashtu për profesionistët apo familjet e reja”, tha ministrja.

Ministria synon që skemat e reja të hapen në muajin nëntor, pasi të përfundojnë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe aktet zbatuese.

Pjesë e reformës pritet të jetë edhe një model i ri ndërtimi me përdorim të përzier. Sipas propozimit, 30% e banesave do të përdoren për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm për shtresën e mesme dhe 30% do t’i nënshtrohen tregut të lirë.

Qëllimi i këtij modeli është përzierja e kategorive të ndryshme të banimit, në mënyrë që familjet që përfitojnë nga programet sociale të mos përqendrohen në ndërtesa apo lagje të veçanta.

Në kuadër të reformës, Agjencia e Zhvillimit të Territorit pritet të marrë një rol më të gjerë në zbatimin e politikave të strehimit dhe në integrimin e tyre me planifikimin territorial.

Masat e reja janë ende në fazën e hartimit dhe konsultimit, ndërsa detajet përfundimtare do të përcaktohen pas miratimit të ndryshimeve ligjore dhe akteve që do të rregullojnë zbatimin e skemave.



Burimi Monitor.al