Utah lejon inteligjencën artificiale të diagnostikojë dhe të trajtojë pacientët me medikamente


Inteligjenca artificiale po kalon nga roli i asistentit te një funksion që deri tani i përkiste ekskluzivisht mjekut. Utah është bërë shteti i parë në SHBA që lejon një sistem AI të ekzaminojë pacientë dhe të lëshojë receta pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.

Programi, i nisur nga startup-i Nolla Health, është për momentin shumë i kufizuar: trajton vetëm rastet e akneve të lehta dhe të moderuara te të rriturit. Pacienti përdor aplikacionin për të skanuar fytyrën, plotëson historikun mjekësor dhe të dhënat personale, ndërsa AI analizon lëkurën, përcakton nivelin e akneve dhe gjeneron një vlerësim të ashpërsisë. Më pas, sistemi zgjedh trajtimin nga një listë e kufizuar me tetë medikamente të miratuara.

Eksperimenti do të zhvillohet në faza. 100 recetat e para kontrollohen nga mjekë përpara se të dërgohen në farmaci. Për 400 pacientët pasues, AI mund t’i dërgojë recetat direkt, ndërsa mjekët i kontrollojnë më pas. Në fazën finale, do të auditohet të paktën 10% e recetave çdo muaj. 

Nolla Health kushton vetëm $4.99 në muaj dhe synon ta bëjë kujdesin dermatologjik më të lirë e më të aksesueshëm. Për momentin, trajtimet janë vetëm lokale, jo tableta, dhe programi përjashton rastet më komplekse. 

Eksperimenti i Utah mund të jetë vetëm fillimi i një modeli që, nëse rezulton i sigurt, mund të zgjerohet në shumë fusha të tjera të kujdesit shëndetësor.



Burimi Geekroom.al