Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve në Shqipëri. Sipas vendimit të ri, nafta do të tregtohet me pakicë deri në 211 lekë për litër, ndërsa benzina deri në 195 lekë për litër.
Vendimi u mor në mbledhjen e 10 tetorit 2026, në kuadër të masave për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin nuk duhet të kalojë 211 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë është përcaktuar në jo më shumë se 199 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është caktuar në 195 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 183 lekë për litër.
Çmimet e reja hynë në fuqi më 10 tetor, në orën 12:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit. Në rast shkeljesh, ndaj subjekteve përgjegjëse mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.










