Mungesa e mbulimit të mjaftueshëm televiziv të protestave në Shqipëri ka nxitur kritika edhe në Kosovë. Ndërsa prej ditësh në Tiranë po zhvillohen protesta të fuqishme, një pjesë e publikut po kërkon më shumë vëmendje nga mediat kosovare për atë që po ndodh përtej kufirit.
Aktivistja Orgesa Arifi Berisha ka nisur një thirrje publike, duke kërkuar nga televizionet e Kosovës që të dërgojnë ekipe gazetarësh në Shqipëri për të raportuar drejtpërdrejt nga terreni.
“Televizionet në Kosovë, dërgoni ekipe në Shqipëri”, shkruhet në mesazhin që po shpërndahet në Instagram.
Nismës i janë bashkuar edhe emra të njohur, mes tyre reperi BimBimma dhe moderatorja Argjira Spanca.
Thirrja vjen në ditën e gjashtë të protestave në Shqipëri, ku mijëra qytetarë, kryesisht të rinj dhe studentë, kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Ditët e fundit janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, me përdorim të gazit lotsjellës dhe topave të ujit.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë kthyer në një hapësirë të rëndësishme për ndjekjen e zhvillimeve. Video të xhiruara me telefona nga qytetarët dhe protestuesit po qarkullojnë vazhdimisht në Instagram, TikTok dhe Facebook, duke sjellë pamje të drejtpërdrejta nga rrugët e Shqipërisë.
Pikërisht në këtë situatë po shtrohet edhe pyetja se sa hapësirë po u japin televizionet kosovare ngjarjeve që po zhvillohen në Shqipëri dhe nëse raportimi përmes rrjeteve sociale po e zëvendëson gjithnjë e më shumë informimin tradicional.
Debati vjen edhe në një periudhë kur besimi i publikut te mediat është kthyer në shqetësim serioz, ndërsa studimet e viteve të fundit kanë evidentuar sfida për besueshmërinë dhe pavarësinë e gazetarisë në Kosovë.
Përmes kësaj nisme, Orgesa dhe personazhet që i janë bashkuar po kërkojnë që zhvillimet në Shqipëri të mos mbeten kryesisht në duart e qytetarëve që publikojnë video në internet, por të përcillen edhe nga gazetarët profesionistë, drejtpërdrejt nga vendngjarja. /Prive By LS










