‘Fola sot në mëngjes me Erjonin’, Besi jep lajmin për shokun e lënduar mbrëmë


Pas shqetësimit të madh që shkaktoi plagosja e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së djeshme në Tiranë, aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka ndarë një përditësim të ri për gjendjen e mikut të tij.

Përmes një postimi në Instagram, Kallaku ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm ka arritur të komunikojë me Erjonin, i cili fatmirësisht ndodhet në gjendje më të mirë.

Megjithatë, dëmtimi i rëndë që ka pësuar në sy kërkon trajtim më të specializuar jashtë Shqipërisë.

“Sot në mëngjes pata mundësinë të flas me Erjonin! Lavdi Zotit është më mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje më të specializuar jashtë shtetit. Presim që sot të niset! Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe gatishmërinë që keni treguar. Zoti ju bekoftë!”, ka shkruar aktori.

Kujtojmë se Vishkulli u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit, pasi u raportua se ishte goditur nga një plumb gome. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, ndërsa dëmtimi i pësuar ka ngritur shqetësime serioze për shikimin e tij.

Tashmë, shpresat janë te trajtimi i specializuar jashtë vendit, ndërsa ende nuk është konfirmuar destinacioni ku pritet të transferohet 28-vjeçari. /Prive By LS



Burimi Privebruto.com