Ari në rënie të fortë, investitorët alarmohen nga inflacioni dhe kriza e aksioneve të teknologjisë


Çmimi i arit ra të premten, duke iu afruar nivelit më të ulët në gati tre muaj. Shitjet masive të aksioneve të teknologjisë dhe shqetësimet për inflacionin, të nxitura nga rritja e çmimeve të naftës, kanë ndikuar në kërkesën për metalin e çmuar.

Ari u tregtua me 4,015.63 dollarë për ons, duke humbur 9.19 dollarë ose 0.23% deri në orën 06:30 GMT. Gjatë muajit të fundit, çmimi i tij ka rënë me 6.08%, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rënia është 2.36%.

Presioni mbi arin u shtua pasi humbjet në aksionet e kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale i shtynë investitorët të shisnin metale të çmuara për të mbuluar humbjet në pjesë të tjera të portofoleve të tyre.

Shqetësimet për kostot e investimeve në inteligjencën artificiale u intensifikuan pasi Meta Platforms prezantoi planet për të rritur shpenzimet kapitale. Kjo shtoi frikën se kompanitë e teknologjisë mund të marrin më shumë borxhe për të financuar zgjerimin e tyre.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të naftës ka shtuar shqetësimet për inflacionin dhe pritjet se normat e interesit mund të mbeten të larta për një periudhë më të gjatë. Interesa më të larta zakonisht e bëjnë arin më pak tërheqës për investitorët, pasi ai nuk gjeneron të ardhura nga interesat, ndryshe nga disa aktive të tjera financiare.

Megjithatë, pasiguria mbi qëndrueshmërinë e investimeve në inteligjencën artificiale, një faktor i rëndësishëm në rritjen ekonomike të SHBA-së, ka bërë që tregjet të ulin pritjet për rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale. Kjo ka ofruar njëfarë mbështetjeje për çmimet e metaleve të çmuara.



Burimi Monitor.al