OpenAI zbulon një mesazh të fshehur në yje nga modeli AI i Anthropic


Studiuesit e sigurisë së inteligjencës artificiale kanë zbuluar se modeli Fable-5.1 i Anthropic mund të fshehë mesazhe sekrete brenda imazheve të zakonshme, pa marrë udhëzime se si ta realizojë këtë. Zbulimi ngre shqetësime për mënyrat se si modelet e AI mund të komunikojnë informacione të fshehta, duke anashkaluar mbikëqyrjen njerëzore.

Në eksperimentin e studiuesit Bryan Chan dhe bashkëautorëve të tij, Fable-5.1 iu kërkua të krijonte një imazh në formatin SVG me një mesazh sekret, pa iu specifikuar metoda e kodimit. Modeli krijoi një peizazh të qetë nate, me hënë, yje, liqen dhe male. Megjithatë, pozicionet vertikale të yjeve përfaqësonin shkronja të alfabetit, duke koduar mesazhin “THE MONSTER ACTS ON THE MOONSHINE MODULE”.

Studiuesit kryen 50 prova për të testuar nëse modelet e AI mund të zbulonin mesazhet vetëm duke analizuar imazhet. Fable-5.1 arriti të rikuperonte me sukses 39 mesazhe, ose 78% të tyre, ndërsa modeli Astra i OpenAI deshifroi 44, duke arritur një saktësi prej 88%.

Përveç pozicionit të objekteve, Fable përdori edhe rrotullimin dhe ngjyrat për të fshehur informacionin. Ndërkohë, Astra preferoi teknika të tjera, përfshirë kodin Morse dhe akrostikët.

Teknikat e steganografisë, pra fshehjes së informacionit brenda materialeve që duken të zakonshme, ekzistojnë prej dekadash. Risia qëndron te aftësia e modeleve për të zgjedhur dhe zbatuar vetë një metodë kodimi.

Megjithatë, modelet nuk i zbulojnë domosdoshmërisht këto mesazhe pa udhëzime specifike. Studimi mund t’i ndihmojë ekipet e sigurisë të identifikojnë komunikime të fshehta mes agjentëve të AI-së.





Burimi Geekroom.al