Meta zhvillon prototipin e robotit humanoid në bashkëpunim me një startup kinez


Gara për robotët humanoidë po tërheq gjithnjë e më shumë gjigantët e teknologjisë, ndërsa Meta duket se po përgatitet të bëhet një nga lojtarët kryesorë në këtë industri. Kompania e Mark Zuckerberg ka zhvilluar një prototip roboti humanoid në bashkëpunim me startup-in kinez të robotikës, Fourier, sipas një raportimi të The Information.

Lëvizja shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e Meta për të zgjeruar aktivitetin përtej rrjeteve sociale, syzeve inteligjente dhe inteligjencës artificiale. Kompania po eksploron mundësinë e krijimit të robotëve që mund të kryejnë detyra fizike në botën reale, duke kombinuar inteligjencën artificiale me aftësitë mekanike dhe perceptimin e mjedisit.

Në fakt, prototipi i quajtur Max është rreth 1.5 metra i gjatë, peshon afërsisht 48 kilogramë dhe përdor procesorin NVIDIA Jetson Thor. Ai është pajisur me duar mekanike me pesë gishta, të afta të kapin objekte të vogla, kanë altoparlantë të integruar dhe një ekran në fytyrë që imiton shprehitë njerëzore.

Bashkëpunimi me Fourier u realizua në vetëm tre muaj. Meta ka nisur tashmë punën për gjeneratën e dytë, Max 2, e cila pritet të ketë duar më precize, një trup të ridizajnuar, projektor dhe sensorë shtesë për të mundësuar ngjitjen dhe zbritjen e shkallëve.

Ambicia e kompanisë është që robotët humanoidë të bëhen një zgjatim fizik i agjentit të saj të inteligjencës artificiale, Muse, duke u mundësuar përdoruesve të delegojnë detyra të përditshme shtëpiake.

Megjithatë, Meta thekson se projektet aktuale janë të përqendruara te kërkimi dhe eksperimentimi i brendshëm dhe se nuk ka plane për shitjen e këtyre prototipeve.

Bashkëpunimi me një kompani kineze vjen gjithashtu në një moment kur SHBA po shton kontrollet mbi importin e robotëve dhe komponentëve nga Kina, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe zinxhirët e furnizimit.

Me këtë projekt, Meta po hyn në një garë ku tashmë konkurrojnë Tesla, Figure dhe kompani të tjera që synojnë ta bëjnë robotikën humanoide pjesë të jetës së përditshme.



Burimi Geekroom.al