Nothing do të prezantojë produktin e parë të fokusuar tërësisht në inteligjencën artificiale në dhjetor


Nothing, kompania teknologjike e njohur për dizajnin e veçantë të telefonave të saj, po përgatitet të prezantojë produktin e parë të ndërtuar rreth inteligjencës artificiale. Lajmi u bë i ditur nga CEO i kompanisë, Carl Pei, i cili konfirmoi në platformën X se pajisja e re do të dalë në treg gjatë muajit dhjetor.

Sipas Pei, produkti do të jetë një mjet produktiviteti, i krijuar me të njëjtën vëmendje ndaj dizajnit dhe personalitetit që karakterizon pajisjet e Nothing. Megjithatë, ai nuk do të ketë ekran dhe nuk do të funksionojë si një aplikacion tradicional.

Për momentin, kompania nuk ka zbuluar se çfarë forme do të marrë pajisja apo cilat do të jenë funksionet e saj kryesore. Pei ka folur edhe më parë për planet e Nothing për të zhvilluar produkte të bazuara te AI, ndërsa kompania ka konfirmuar se po punon gjithashtu për syze inteligjente dhe kufje me integrime të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, drejtuesi duket se dëshiron të distancohet nga tendenca aktuale e pajisjeve të reja AI, si varëset inteligjente, pin-et apo syzet që synojnë të bëhen asistentë personalë.

Sipas tij, industria po kërkon me ngulm pajisjen e radhës që do të ndryshojë mënyrën se si njerëzit përdorin teknologjinë, por Nothing e sheh këtë moment ndryshe.

Data e saktë e prezantimit ende nuk është bërë publike, por dhjetori pritet të zbulojë se çfarë ka përgatitur kompania.





Burimi Geekroom.al