Instagram sjell Edits në Mac, për editimin e videove deri në 4K


Instagram ka prezantuar versionin desktop të aplikacionit për editimin e videove, Edits, duke e sjellë për herë të parë në kompjuterët Mac. Aplikacioni synon të ofrojë më shumë mundësi për krijuesit e përmbajtjeve që punojnë me projekte komplekse, ku ekrani i smartphone-it nuk është gjithmonë i mjaftueshëm. Versioni i ri vjen me një hapësirë më të madhe pune, kontrolle më të avancuara dhe mundësi personalizimi të tastierës.

Një nga risitë kryesore është multi-track editing, që u mundëson përdoruesve të organizojnë dhe modifikojnë njëkohësisht disa elemente video dhe audio. Gjithashtu, Edits për Mac mbështet keyframes për tranzicione dinamike, paraqitjen vizuale të valëve audio për prerje më të sakta dhe mjete të avancuara për korrigjimin e ngjyrave. Përdoruesit mund të importojnë gjithashtu fontet dhe LUT-et e tyre.

Një tjetër veçori e rëndësishme është eksportimi i videove në rezolucion deri në 4K, pa watermark, si dhe mbështetja për formate vertikale dhe horizontale. Videot mund të publikohen drejtpërdrejt në Instagram, duke përfshirë etiketimin e personave, vendndodhjen dhe publikimin e Trial Reels.

Aplikacioni përfshin gjithashtu bibliotekën muzikore të licencuar të Instagram, qindra efekte audio dhe video, si dhe gjenerimin automatik të titrave në disa gjuhë.

Megjithatë, Edits për Mac është aktualisht i disponueshëm vetëm për kompjuterët me procesorë Apple Silicon, duke filluar nga M1. Mundësia për të vazhduar të njëjtin projekt mes smartphone-it dhe Mac-ut është ende në zhvillim. Instagram premton përditësime javore, ndërsa synimi është ta kthejë Edits në një alternativë serioze ndaj CapCut.



Burimi Geekroom.al