Samsung Electronics, lider global në teknologji, njoftoi sot se një sërë produktesh dhe zgjidhjesh të saj janë vlerësuar nga Consumer Technology Association (CTA)® në kuadër të programit CES Innovation Awards® 2027. Krahasuar me vitin 2026, kompania ka dyfishuar numrin e produkteve që kanë marrë vlerësimin më të lartë Best of Innovation.
Çmimet CES Innovation Awards vlerësojnë ekselencën në dizajn dhe inxhinieri në një gamë të gjerë kategorish të teknologjisë për konsumatorët. Për Samsung, këto vlerësime konfirmojnë vizionin e saj për krijimin e një ekosistemi të integruar dhe të ndërlidhur, që ofron më shumë komoditet, nxit kreativitetin dhe përmirëson aksesueshmërinë. Njëkohësisht, çmimet nxjerrin në pah përpjekjet e kompanisë në integrimin e inteligjencës artificiale, zhvillimin e ekraneve që ofrojnë përvoja gjithëpërfshirëse, zgjidhjet për shtëpinë inteligjente dhe teknologjitë e avancuara të gjysmëpërçuesve që fuqizojnë pajisjet e gjeneratës së ardhshme.
Divizioni i Ekraneve Vizuale (VD) i Samsung u vlerësua për risitë më të fundit në teknologjitë e ekraneve dhe audios. Dy produkte fituan vlerësimin më të lartë Best of Innovation, ndërsa disa produkte dhe funksione të tjera u nderuan me çmimet CES Innovation Awards. Edhe Divizioni i Pajisjeve Elektroshtëpiake (DA) u vlerësua për risitë që përmirësojnë komoditetin, efikasitetin dhe funksionalitetin në përditshmëri. Ndër produktet e vlerësuara është edhe lavatriçja dhe tharësja e kombinuar Bespoke AI Combo, e përmirësuar, e cila fitoi çmimin CES Innovation Award, pas vlerësimit që kishte marrë edhe modeli i saj i parë në vitin 2024.
Nga avancimi i përvojës së krijuar ndër vite në zhvillimin e pajisjeve me ekran të palosshëm, deri te krijimi i zgjidhjeve inteligjente të bazuara në inteligjencën artificiale për jetën e përditshme, këto çmime dëshmojnë përkushtimin e Samsung ndaj inovacionit, me synimin për të krijuar një të ardhme më të ndërlidhur dhe të personalizuar, ku pajisjet funksionojnë në mënyrë të natyrshme në sfondin e përditshmërisë. Lista e plotë e produkteve Samsung të vlerësuara do të publikohet më 4 janar 2027.
CES 2027, eventi kryesor në botë kushtuar teknologjive dhe dizajnit inovativ, do të mbahet nga data 6 deri më 9 janar në Las Vegas, Nevada, SHBA. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me gjeneratën e ardhshme të inovacioneve të Samsung.
Produktet kryesore të vlerësuara me çmimin më të lartë “Best of Innovation” në kuadër të CES 2027 Innovation Awards
Kategoria e pajisjeve mobile, aksesorëve dhe aplikacioneve: Galaxy Z Fold8 Ultra
Ultra përfaqëson standardin më të lartë të performancës, funksionalitetit dhe inovacionit në familjen Galaxy. Galaxy Z Fold8 Ultra e sjell këtë standard në një nivel të ri, përmes dizajnit më të avancuar të palosshëm të Samsung. Ekrani i tij kryesor prej 8 inç ofron një hapësirë të gjerë pune, ideale për kryerjen e shumë detyrave njëkohësisht. Pavarësisht trashësisë prej vetëm 4,1 mm kur është i hapur dhe peshës prej 215 g, duke e bërë modelin Z Fold më të hollë deri më sot, ai është pajisur me baterinë me kapacitetin më të madh në historinë e serisë Z Fold, prej 5.000 mAh, e cila u mundëson përdoruesve ta shfrytëzojnë pajisjen për më gjatë. Kështu, në një dizajn edhe më të hollë dhe të palosshëm, ai ofron autonomi për një ditë të plotë pune, krijimtarie dhe argëtimi.
Pajisja përfshin gjithashtu arkitekturën e ekranit Flex Titanium, e cila përdor dy shtresa me bazë titani për të rritur qëndrueshmërinë, duke reduktuar njëkohësisht trashësinë e modulit të ekranit me 10%. Kjo krijon më shumë hapësirë për komponentët e brendshëm dhe mundëson një sipërfaqe më të sheshtë të ekranit, me një vijë palosjeje më pak të dukshme.
Kamera kryesore me kënd të gjerë dhe rezolucion 200 MP mbështet HDR në rezolucion të plotë, ndërsa kamera e re ultra e gjerë 50 MP zëvendëson kamerën 12 MP të modelit Z Fold7, mundëson fotografimin makro dhe, falë aperturës më të gjerë F1.9, kap rreth 34% më shumë dritë. Si për kryerjen e shumë detyrave njëkohësisht, ashtu edhe për krijimin e përmbajtjes, Galaxy Z Fold8 Ultra ofron një përvojë të jashtëzakonshme.
Kategoria e pajisjeve mobile, aksesorëve dhe aplikacioneve: Galaxy Z Fold8
Galaxy Z Fold8 është ridizajnuar për përdoruesit që dëshirojnë një telefon të palosshëm, përdorimi i të cilit vjen natyrshëm në ato momente kur kureshtja shndërrohet në dëshirë për të eksploruar më shumë. Si modeli më i lehtë Galaxy Z Fold deri më sot, ai sjell një dizajn të ri të palosshëm, të ndryshëm nga Galaxy Z Fold8 Ultra, i cili është i orientuar drejt produktivitetit.
Ekrani i jashtëm prej 5,5 inç, me raport përmasash 10:16, është i përshtatshëm për shfletimin e përmbajtjeve, komunikimin dhe shikimin e videove të shkurtra. Kur hapet, ekrani kryesor prej 7,6 inç, me raport përmasash 4:3, ofron një sipërfaqe më të madhe për lojëra dhe filma, si dhe mundëson shfaqjen e njëkohshme të përmbajtjes dhe komenteve, krah për krah.
Arkitektura e ekranit Flex Titanium kombinon një pllakë rrjetë titani të prodhuar me precizion të lartë dhe një fletë jashtëzakonisht të hollë prej aliazhi titani. Kjo strukturë redukton trashësinë e modulit të ekranit, duke ruajtur qëndrueshmërinë gjatë palosjeve të përsëritura, duke absorbuar goditjet dhe duke e bërë vijën e palosjes më pak të dukshme.
Kamerat kryesore dhe ultra të gjera, të dyja me rezolucion 50 MP, mundësojnë regjistrimin e videove deri në rezolucion 8K. Ndërkohë, funksioni Dual Recording regjistron njëkohësisht pamjen nga kamera e përparme dhe ajo e pasme, duke i shfaqur të dyja në një ekran të ndarë, pa prerë asnjë pjesë të imazhit.
Produktet kryesore të vlerësuara me çmimet CES 2027 Innovation Awards
Kategoria e pajisjeve dhe komponentëve kompjuterikë: 512 GB DDR5 RDIMM (bazuar në DRAM 32 Gb, të prodhuar me teknologjinë 1b)
Samsung 512 GB DDR5 RDIMM është një modul memorieje serveri me kapacitet të lartë, i bazuar në teknologjinë e avancuar DRAM 32 Gb dhe i projektuar për kompjuterikë me performancë të lartë dhe qendra të të dhënave të gjeneratës së ardhshme.
Duke përdorur DRAM 32 Gb, ai ofron kapacitet prej 512 GB përmes një strukture me katër shtresa të vendosura njëra mbi tjetrën, ndërsa modulet tradicionale të bazuara në DRAM 16 Gb përdorin tetë shtresa. Ky dizajn më i thjeshtë redukton kompleksitetin e paketimit të çipave dhe ofron më shumë fleksibilitet në projektim.
Në një server me 16 kanale memorieje, modulet RDIMM me kapacitet 512 GB mundësojnë deri në 8 TB memorie, dyfishin e kapacitetit prej 4 TB që ofrohet nga modulet 256 GB. Për më tepër, ato konsumojnë deri në 15% më pak energji krahasuar me modulet tradicionale RDIMM 512 GB të bazuara në DRAM 16 Gb, duke ndihmuar në reduktimin e konsumit të energjisë dhe nevojave për ftohje në qendrat e të dhënave.
Këto module mbështesin në mënyrë efikase edhe ngarkesa pune që kërkojnë kapacitet të lartë memorieje, si trajnimi i modeleve të inteligjencës artificiale gjeneruese, machine learning dhe analizimi i të dhënave masive në nivel ndërmarrjeje. Në këtë mënyrë, ato mund të përmirësojnë efikasitetin operacional të qendrave të të dhënave dhe të reduktojnë koston totale të pronësisë (TCO).
Kategoria e pajisjeve dhe komponentëve kompjuterikë: LPDDR5X SOCAMM2
Samsung LPDDR5X SOCAMM2 është një modul kompakt memorieje, i projektuar për serverët e inteligjencës artificiale. Ai kombinon efikasitetin energjetik të memories mobile DRAM me konsum të ulët energjie dhe gjerësi të lartë bande, për të mbështetur ngarkesat intensive të punës që kërkojnë aplikacionet e inteligjencës artificiale.
Moduli ofron gjerësi bande deri në 153,6 GB/s, ose 2,6 herë më shumë krahasuar me modulet tradicionale DDR5 RDIMM, si dhe mbi 70% efikasitet më të lartë energjetik. Kjo u mundëson serverëve të inteligjencës artificiale të përpunojnë të dhënat më shpejt, duke konsumuar më pak energji.
Dizajni i tij i ulët dhe horizontal kursen hapësirë brenda serverëve dhe përmirëson qarkullimin e ajrit, duke kontribuar në një sistem më efikas ftohjeje. Gjithashtu, dizajni i çmontueshëm i modulit mundëson zëvendësimin e memories dhe rritjen e kapacitetit të saj pa pasur nevojë për ndërrimin e pllakës amë, duke e bërë mirëmbajtjen më të thjeshtë dhe fleksibël.
Duke kombinuar gjerësinë e lartë të bandës, efikasitetin energjetik dhe dizajnin fleksibël, LPDDR5X SOCAMM2 ndihmon qendrat e të dhënave të krijojnë sisteme serverësh për inteligjencën artificiale më efikase, të cilat mund të përditësohen dhe zgjerohen lehtësisht.
Kategoria e pajisjeve mobile, aksesorëve dhe aplikacioneve: UFS 5.0
Samsung UFS 5.0 është zgjidhja e parë në industri për ruajtjen e të dhënave e bazuar në standardin UFS 5.0, e projektuar për të mbështetur funksionimin e inteligjencës artificiale të gjeneratës së ardhshme drejtpërdrejt në telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera mobile.
Ndërsa aplikacionet që përdorin inteligjencën artificiale gjeneruese dhe atë agjentike përpunojnë gjithnjë e më shumë të dhëna drejtpërdrejt në pajisje, nevoja për zgjidhje më të shpejta dhe efikase të ruajtjes së të dhënave bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
UFS 5.0 ofron gjerësi bande deri në 10,8 GB/s dhe shpejtësi dy herë më të lartë të leximit dhe shkrimit sekuencial të të dhënave krahasuar me UFS 4.1. Përmes një algoritmi të vetin softuerik, Samsung ka arritur gjithashtu një shpejtësi mbi 3,4 herë më të lartë të leximit të rastësishëm të të dhënave në një hapësirë të madhe memorieje.
Këto përmirësime shkurtojnë kohën e ngarkimit të modeleve të inteligjencës artificiale dhe përmirësojnë reagimin e pajisjes gjatë përdorimit të funksioneve si krijimi i përmbajtjes në kohë reale.
UFS 5.0 ofrohet në versionet me kapacitet ruajtjeje 512 GB dhe 1 TB. Struktura e tij është 16,7% më e vogël krahasuar me gjeneratën e mëparshme, duke liruar më shumë hapësirë brenda pajisjes për komponentë të rëndësishëm, si bateria, dhe duke u dhënë prodhuesve më shumë liri në projektimin e pajisjeve.
Krahasuar me UFS 4.1, efikasiteti i tij energjetik është 40% më i lartë, duke mundësuar konsum më të ulët të energjisë së baterisë gjatë kryerjes së detyrave intensive që lidhen me inteligjencën artificiale.
