“I jam mirënjohëse deri në fund”, Fatlinda ka dy fjalë për ish-menaxherin


Këngëtarja Fatlinda Beqiri, e cila ditët e fundit është rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike pas deklaratës së Nichi-t në “Big Brother VIP Kosova 5”, ka folur sërish për raportin me ish-menaxhmentin e saj.

Këtë herë, Fatlinda është shfaqur në një fragment nga intervista për emisionin “N’Kosovë Show”, e cila pritet të transmetohet të enjten.

E pyetur nëse kishte diçka për t’i thënë kompanisë që e kishte menaxhuar më herët, këngëtarja zgjodhi të fliste me respekt për bashkëpunimin e dikurshëm.

“Nuk është e mirë puna me folur për dikë që kemi hëngër bukë aty, kemi ndenjur bashkë në një shtëpi, edhe unë e kam respekt edhe jam mirënjohëse deri në fund”, u shpreh ajo.

Ndërsa kur moderatori e pyeti nëse i kishin mbyllur çështjet mes tyre dhe nëse kishte mbetur ndonjë hatërmbetje me ish-menaxhmentin, Fatlinda u përgjigj shkurt: “Po”, duke konfirmuar më pas se nuk kishte asgjë kundër tyre.

Kujtojmë se Fatlinda foli për herë të parë për këtë çështje në një intervistë për Prive by LS, pas deklaratës së Nichi-t, i cili pretendoi se ish-menaxheri ia kishte ndaluar këngëtares të këndonte për 25 vjet.

Në intervistën për Prive by LS, ajo sqaroi se mosmarrëveshjet me ish-menaxhmentin dhe çështjet që lidheshin me kontratën ishin zgjidhur mes palëve.

Madje, këngëtarja dha edhe lajmin për rikthimin e saj në muzikë, duke paralajmëruar se do të sjellë projekte të reja muzikore, këtë herë duke vazhduar rrugëtimin artistik pa ish-menaxherin e saj.

Deklarata e fundit e Fatlindës lë të kuptohet se, pavarësisht mosmarrëveshjeve të së kaluarës, ajo dëshiron ta ruajë respektin për njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar. /Prive By LS



Burimi Privebruto.com