Studiuesit në Gjermani kanë zhvilluar një kompjuter kuantik fotonik, i cili përdor grimcat e dritës për të kryer llogaritje jashtëzakonisht komplekse, që mund të kërkojnë mijëra vite për t’u simuluar nga superkompjuterët tradicionalë.
Kompjuteri, i quajtur Paderborn Quantum Sampler (PaQS), është krijuar nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin e Paderbornit, nën drejtimin e profesoreshës Christine Silberhorn. Projekti synon të kuptojë më mirë se si vetitë kuantike të dritës ndikojnë në performancën e kompjuterëve të këtij lloji.
Ndryshe nga kompjuterët klasikë, të cilët përpunojnë informacionin përmes biteve që marrin vlerën 0 ose 1, PaQS përdor fotone. Ato kalojnë përmes një rrjeti optik kompleks, ku krijojnë modele të ndryshme që sistemi mund t’i analizojë.

Sa më i madh dhe kompleks të bëhet ky rrjet, aq më e vështirë është të parashikohen rezultatet e tij me teknologjitë aktuale. Për këtë arsye, studiuesit po analizojnë faktorë si kontrolli i fotoneve dhe statistikat e tyre, për të kuptuar se cilat janë mënyrat e krijimit të një kompjuteri kuantik më efikas.
Ekipi po punon për ta përmirësuar PaQS dhe për ta përdorur në eksperimente më të avancuara. Në të ardhmen, kompjuterët kuantikë fotonikë mund të ndihmojnë në kiminë, energjinë dhe komunikimet e sigurta. Studimi është publikuar në revistën shkencore PRX Quantum.
