Rusia nis fotografimin ajror me pëllumba që kanë çipa të implantuar në tru


Një kompani teknologjike ruse ka nisur të pranojë porosi për fotografim ajror me pëllumba të pajisur me implante në tru, në një projekt që duket si diçka e dalë nga filmat fantastiko-shkencorë. Kompania Neiry i quan këta zogj “biodronë” dhe pretendon se mund të kontrollojë drejtimin e fluturimit të tyre përmes stimulimit elektrik të trurit.

Sistemi përdor elektroda biokompatibile të vendosura në tru, të lidhura me një pajisje elektronike që pëllumbi e mban në një çantë të vogël në trup. Impulset elektrike stimulojnë zona të caktuara të trurit, duke ndikuar në drejtimin e fluturimit. Operatorët mund t’i kontrollojnë zogjtë në distancë ose t’u programojnë një itinerar. Kamerat e vendosura në gjoks fotografojnë zonat nga lart.

Neiry pretendon se pëllumbat kanë kryer më shumë se 100 fluturime jashtë laboratorit dhe kanë realizuar mbi 1,000 fotografi. Fluturimi më i gjatë ka zgjatur mbi 10 orë, ndërsa kontrolli është ushtruar nga distanca më shumë se 100 kilometra.

Shërbimi ofrohet aktualisht në Rusi në fazën beta, me çmime që nisin nga rreth $3,800 për kilometër katror.

Kompania synon përdorimin e tyre për monitorimin e linjave elektrike, tubacioneve dhe mjedisit. Megjithatë, projekti ngre pikëpyetje mbi mirëqenien e kafshëve dhe besueshmërinë e rezultateve, të cilat deri tani mbështeten kryesisht në deklaratat e vetë kompanisë.



Burimi Geekroom.al