Ekonomia ka nisur të shfaqë shenjat e rikuperimit pas situatës së krijuar për shkak të pandemisë së virusit Sars-COV-2. INSTAT publikoi sot raportin e tregtisë së jashtme për muajin shkurt, sipas të cilit ekportet në shkurt shënuan rritje prej 4.4 %.
“Në muajin shkurt 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliardë lekë, duke u ulur me 0.9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 4.4 %, në krahasim me janarin e vitit 2021”, thuhet në raportin e INSTAT.
Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u rritur me 0.9 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 15 %, në krahasim me janarin 2021.
Deficiti tregtar i këtij muaji, sipas INSTAT është 27 miliardë lekë, duke u rritur me 2.7 %, krahasuar me shkurtin e 2020 dhe me 26.7 %, në krahasim me janarin e 2021.
Si periudhë dymujore eksportet e mallrave arritën vlerën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 98 miliardë lekë, duke u rritur me 4.3 %, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 7.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Ndikimin kryesor në rritjen vjetore të eksporteve e dhanë eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metalet me 4.6 pikë përqindje, grupi “ushqim, pije, duhan” me 2.1 pikë përqindje, “makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 0.8 pikë përqindje.
Në uljen vjetore të eksporteve kanë ndikuar grupet: “tekstile dhe këpucë” me 4.9 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 0.8 pikë përqindje, “prodhime druri dhe letre” me 0.5 pikë përqindje.









