Ecuria e mirë e kreditimit mbetet një nga nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, ndërkohë që sistemi bankar është likuid dhe i bollshëm dhe stimuli që po jep politika monetare është përcjellë mirë në tregje.
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, vëren se kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare.
Vëllimi i kredisë bankare për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1 % në muajin shkurt. Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues.
Po ashtu, sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 50% në fillim të vitit 2021.
Duke e parë nga e ardhmja, Këshilli Mbikëqyrës pret që aktiviteti ekonomik t’i rikthehet normave pozitive të rritjes në vitin 2021 dhe në vijim. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, nga reduktimi i pasigurisë, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Rritja e kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit brenda vitit 2022”, thekson BSH-ja.









