Të ardhurat nga TVSH në import për periudhën janar-shkurt të këtij viti rezultojnë 15.8 miliardë lekë, 50 milionë lekë ose 0.3% më shumë se një vit më parë, si dhe 1.9 miliardë ose 10.8% më pak se plani për 2 mujorin 2021.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar.
Situata ekonomike prej COVID-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh.
Gjatë 2 mujorit 2021, rënia e sasisë së importuar të karburanteve të importit krahasuar me vitin 2020, ka sjellë efekt negative 277 milionë lekë në të ardhurat doganore. Nga ndryshimi i çmimit efekti pozitiv llogaritet 110 milionë lekë. Në total llogaritet një efekt negative në të ardhura 167 milionë lekë.
Kjo, sipas MFE-së, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 13% në strukturën e TVSH-së në import.
Gjatë 2 mujorit 2021, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi i energjisë elektrike, automjeteve të përdorura, materialet e ndërtimit, dhe cigare, të cilat kanë një kontribut pozitiv 500 milionë lekë. Ndër produktet me efekt negative renditen karburante importi, automjetet e reja, mishi, fruta perimet dhe metalet bazë, me një efekt 800 milionë lekë.









