Banka Botërore publikoi sot raportin e ri mbi ekonominë rajonale ku thekon se “Shqipëria i tejkaloi parashikimet e rritjes të bëra në Vjeshtë 2020”.
BB, vlerëson se masat e marra dhe rifillimi i rindërtimeve pas tërmetit, kontribuan në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.
“Shqipëria i tejkaloi parashikimet e rritjes të bëra në Vjeshtë 2020, pjesërisht falë masave të marra dhe rifillimit të rindërtimeve pas tërmetit. Megjithatë, pandemia COVID-19 pati ndikime serioze në ekonomi: ndalimi i udhëtimeve goditi sektorin e turizmit dhe borxhi publik u rrit”- bën të ditur raporti.
Sipas BB, “Shqipëria u godit rëndë, fillimisht nga tërmeti i Nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia COVID-19. Me tkurrjen e shpejtë të turizmit dhe shërbimeve, PBB-ja u zvogëlua me rreth 3.3 përqind. Rindërtimi dhe stimujt e lidhur me COVID-19 ndikuan në zbutjen e tronditjeve”.
“Rindërtimi pritet të jetë shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike në vitin 2021, duke u ndihmuar nga një rritje e lehtë e kërkesës private për shkak të kufizimeve të vazhdueshme në udhëtim”- thekson raporti i BB.
BB vëren se pavarësisht problemeve strukturore, treguesit e tregut të punës u korrigjuan relativisht shpejt me rihapjen e ekonomisë pas mbylljes fillestare
Gjithashtu, kursi i këmbimit vijon të jetë fleksibël, gjë e cila i jep mundësi Shqipërisë të asimilojë goditjet e jashtme
“Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të rriten në 27.6 përqind të PBB-së gjatë periudhës 2021-2022”- vlerëson raporti i BB-së.










