Fermerët e shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2021, kanë afat deri më datën 18 maj 2021, për të kryer dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, për të përfituar masën e subvencionimit.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se ka shpallur listat e fermerëve të kualifikuar fitues, në faqen zyrtare të saj, për secilën nga nëntë masat e mbështetjes, ku ata kanë aplikuar.
Fermerët fitues duhet të paraqiten në agropikat e zonave të tyre për dorëzimin e dokumenteve plotësuese ose t’i dërgojnë me postë këto dokumente në Drejtorinë e AZHBR-së në Tiranë.
Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2021 është rritur në 804 milionë lekë, nga 743,9 milionë lekë që ishte një vit më parë dhe adreson financim të drejtpërdrejtë të fermerëve për nëntë sektorë: blegtori, bletari, çmimin e plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, përpunim perimesh, certifikimin e produkteve bujqësore, fermave organike, bujtina, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Fermerët aplikuan në Skemën Kombëtare 2021 përmes portalit e-Albania, me zero dokumente.










