Fermerët marrin kartat për naftë falas në bashkinë Maliq

Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor në 12 qarqet e vendit, po vijojnë procesin e pajisjes së fermerëve me kartën e naftës falas për bujqësinë, që kanë përfituar nga Skema e Mbështetjes së qeverisë për bujqësinë.

Bashkia Maliq bën të ditur se, “janë 2 100 fermerë në bashki Qendër, në njësitë administrative Pojan, Libonik, Vreshtas dhe Pirg që kanë kryer me sukses procesin e aplikimit për skemën e mbështetjes me naftë falas për fermerët e pajisur me NIPT dhe tashmë po tërheqin kartat me sasinë e naftës falas që u takon sipas sipërfaqes së tokës që do punojnë”.

Skemat e mbështetjes po nxisin krahas përfitimeve financiare, edhe formalizimin e sektorit të bujqësisë.

Në bashkinë Maliq, mbi 700 fermerë janë pajisur me NIPT, duke u krijuar mundësi vetes të aplikojnë dhe përfitojnë nga skemat e mbështetjes për bujqësinë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Qarku Korçë mban vendin e parë përqindjen më të lartë të aplikimeve për skemën mbështetëse me naftë për fermerët e pajisur me Nipt.

32% e aplikimeve janë nga Qarku Korçë dhe pas Korçës, Fieri me 27% të aplikimeve.

10% e aplikimeve në nivel kombëtar (2.100), janë kryer në sportelet e Bashkisë Maliq.