AZHBR mbështet fermerët për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat diellore

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural po mbështet fermerët për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve në vlerën 300.000 lekë për ha, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën 100.000 lekë për ha.

Drejtore e kësaj Agjencie, Frida Krifca solli sot historinë e Sokolit, një prej fermerëve të shumtë në vend që merret me kultivimin e vreshtave.

“Në Gërmenj, në vreshtat në serra të Sokolit gjen disa varietete, mes tyre edhe Viktorian, rrushin e tavolinës tepër të kërkuar në treg. Si fermer i apasionuar pas kësaj fushe, Sokoli tregon me kërshëri punën që e ka ngritur hap pas hapi. Prej vitesh është angazhuar në këtë këtë sektor dhe sot ka një hapësirë të mbjellash prej 18 dynymë”, u shpreh Krifca.

Me mbështetjen e AZHBR-së, përmes Skemës Kombëtare, Sokoli ka përfituar zëvendësimin e plastmasit në serra, tejet të rëndësishëm për të mbrojtur bimën në ditët e vështira të motit, kur temperaturat janë të ulëta, për të ruajtur prodhimin dhe cilësinë dhe për të marrë çmimin e dëshiruar.

“Kam një sipërfaqe mbi 18 dynym. Është një investim kolosal. Kam mbi 10 vite që merem me ngritjen e kësaj serre. Unë kam përfituar edhe mbështetje financiare nga AZHBR. Është ndihmë e madhe”, shprehet Sokoli.