Në tremujorin e parë të këtij viti numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 6,3 %, në krahasim me tremujorin e parë të vitit që lamë pas.
Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, rritje në këtë periudhë shënoi edhe numri i vizitorëve rezidentë me 10,1 %, ashtu si numri i vizitorëve jorezidentë shifër kjo që u rrit me 1,8 %.
Ndërkohë, numri i netëve të qëndrimeve gjithsej është ulur me 7 %, në krahasim me tremujorin e parë të 2020-ës.
Ndërsa numri i netëve të qëndrimeve nga rezidentët është ulur me 16,4 % dhe numri i netëve të qëndrimeve nga jo-rezidentët është rritur me 7 %.
Sipas të dhënave, numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë prej 47,3 %. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 42,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e parë vitit numri më i lartë i vizitorëve rezulton në rajonin qendror, rreth 50,8 %, sipas zonave të afërsisë me bregdetin në zonat jobregdetare llogariten 64,6 % e vizitorëve, ndërsa sipas llojit të strukturave akomoduese në hotele dhe akomodime të ngjashme qëndruan 67,3 % e vizitorëve.










