Lëshimi i faturave elektronike përmes platformës qendrore deri me 30 qershor

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijoi sot informimin lidhur me procesin e fiskalizimit sipas ligjit  “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.

DPT risolli në vëmendjen e të gjithë tatimpaguesve të cilët lëshojnë fatura për organet publike shtetërore nëpërmjet platformës qendrore të faturave, që përdorimi i kësaj platforme nga këta tatimpagues mund të vijojë maksimalisht deri në datë 30 Qershor 2021.

“Tatimpaguesit që kryejnë transaksione pa para në dorë me organet publike mund të lëshojnë dhe fiskalizojnë fatura elektronike për këto transaksione nëpërmjet platformës qendrore të faturave, deri në datën 30 qershor 2021”, thuhet në njoftimin për shtyp të DPT-së.

Pas këtij afati, përdorimi i platformës qendrore të faturave nuk do të jetë i mundur për këtë kategori tatimpaguesish, ndaj duhet të fillojnë përdorimin e zgjidhjeve softuerike të certifikuara para ose maksimalisht në datën 30 qershor 2021.