Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar zbriti në 18.1% në fund të tremujorit të parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky tregues pësoi një rënie të lehtë krahasuar me nivelin 18.3% të tremujorit të mëparshëm.
Megjithatë, ai ngelet dukshëm mbi kërkesat minimale bazë të përcaktuara në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, kërkesa gjatë viteve të krizës ka qenë edhe më e lartë.










